Në Ulqin Hajrullah Koliqi, laureat i çmimit të “Art Clubit” – Video

January 4, 2016   | Kulturë / Kultura

Prof-Hajrullah Koliqi, laureat i çmimitProf. Dr. Hajrullah Koliqi, laureat i Çmimit Tradicional të “Art Club”-it

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” shënoi sot 25-vjetorin e themelimit të saj, me ç’rast ka ndarë Çmimin Tradicional për arritje të jashtëzakonshme në shkencë, kulturë dhe art.

Pasi që ka analizuar rezultatet e arritura në fusha të ndryshme nga krijuesit dhe studiuesit shqiptarë në Mal të Zi, gjatë periudhës kohore 2013-2015, juria në përbërje: Gjekë Gjonaj, dr. Nexhad Avdiu dhe Qazim Muja, ka vendosur që Çmimi Tradiconal i “Art Club”-it t’i jepet prof. Dr. Hajrullah Koliqit, me motivacion “për kontributin e çmuar në fushën e studimeve të historisë së pedagogjisë shqiptare dhe botërore, e cila për  më se katër dekada  ndërlidhet  me jetën dhe punën e tij arsimore dhe pedagogjike, hartimin e teksteve universitare dhe monografive për personalitetet e arsimit kombëtar, sikurse edhe për veprimtarinë  kombëtare në shërbim të popullit dhe vendit të tij”.

Çmimi i SHAI “Art Club” është themeluar në vitin 1991 si Shpërblim Vjetor, kurse që nga viti 2009 jepet për çdo tri vjet. Këtë Çmim deri tani e kanë fituar: Rudi Goga, Dom Simon Filipaj, Basri Çapriqi, Asllan Bisha dhe redaksia e revistës “Fati”, Këshilli i Simpoziumit “Meshari i Gjon Buzukut – monument i kulturës shqiptare 1555-1995”, Ali Salaj, Nail Draga, Riza Rexha, Emin Halili, Cafo Boga, Bajram Rexha, Ruzhdi Ushaku, Gjelosh Gjokaj, Hajro Ulqinaku, Mehmet Kraja, Fiqiri Hasanaga (pas vdekjes), Simë Dobreci dhe Hajrullah Koliqi. “Art Club”-i është subjekti i vetëm ndër shqiptarët në Mal të Zi, i cili ndan Çmim për krijuesit shqiptarë.

Në ceremoninë e organizuar është vlerësuar veprimtaria prej një çerek shekulli, duke nënvizuar se gjatë kësaj periudhe “Art Club”-i ka qenë aktori dhe subjekti më i rëndësishëm në promovimin e kulturës, letërsisë, artit dhe shkencës shqiptare në Malin e Zi. Në këtë kuadër, edhe viti 2015 paraqet vazhdim të punës së suksesshme të “Art Club” në ruajtjen dhe afirmimin e kulturës shqiptare në Mal të Zi.

Veprimtaria e gjithanshme dhe manifestimet e organizuara nga kjo shoqatë, siç është për shembull “Kalimera Poetike”, tashmë janë bërë të njohura në mbarë hapësirën shqiptare dhe më gjerë.

SHAI “Art Club” është themeluar më 28 dhjetor 1990 nga një grup i krijuesve dhe i intelektualëve të Ulqinit dhe përbën njërën prej organizatave joqeveritare më të vjetra jo vetëm në komunën e Ulqinit dhe ndër shqiptarët në Mal të Zi, por edhe në tërë Malin e Zi.

 

Ulqin, më 28 dhjetor 2015

Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”

YouTube Preview Image