Presidenti Nishani në pritjen tradicionale të Vitit të Ri me përfaqësuesit e mediave edhe nga Mali Zi

January 9, 2016   | Rajoni / Region

Bujar-Nishani-Mediat-Mali-ZiPresidenti Nishani në pritjen tradicionale të Vitit të Ri 2016 me përfaqësuesit e mediave: Pa ju, demokracia nuk është e mangët apo e papërsosur, por e pamundur!

Në pritje ishin të ftuar edhe përfaqsues të mediave nga viset shqiptare nën shtetet e rajonit, ndër të cilët edhe Mali i Zi.

Presidenti Nishani në pritjen tradicionale të Vitit të Ri me përfaqësuesit e mediave: Mediat duhet të përpiqen sa më shumë që të jetë e mundur të kurojnë, në mënyrë të merituar, imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

8 janar 2014

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani mikpriti sonte në mbrëmje në Pallatin e Brigadave në kuadër të pritjes tradicionale të Vitit të Ri 2014 drejtues dhe përfaqësues të shumtë të mediave shqiptare.

Bujar-Nishani-Mediat-Mali-Zi-3

Në përshëndetjen e tij me këtë rast, Kreu i Shtetit duke u shprehur urimet më të përzemërta përfaqësuesve të mediave dhe mirënjohjen për kontributin e pazëvendësueshëm që japin në shoqërinë shqiptare si dhe në jetën dhe dinamikën e përditshme të vendit, në të gjitha aspektet, theksoi: “Dëshiroj që t’ju garantoj juve dhe të gjithë kolegëve tuaj në këtë takim se, gjatë gjithë kohës që do të ushtroj mandatin e Presidentit të Republikës do të vazhdoj t’u qëndroj fort atyre parimeve për të cilat besoj dhe gjykoj se i shërbejnë më së miri ushtrimit të rolit të Presidentit të Republikës në të gjithë dimensionin që Kushtetuta, i parashikon, institucionet dhe, në tërësi, kolonat e shoqërisë kërkojnë nga Presidenti i Republikës”.

Duke vënë në dukje se: “nga pritshmëria që opinioni publik ka për Presidentin e Republikës, pra, për të krijuar imazhin e një njeriu që shërben me devocion në atë pozicion që ka duke i rezistuar, natyrisht, vështirësive, sfidave,” – Presidenti Nishani nënvizoi se media njëkohësisht mund të japë dimensionin e plotë institucional, për të cilin të gjithë kemi nevojë për ta ofruar dhe për ta konsoliduar në shoqëri.

Bujar-Nishani-Mediat-Mali-Zi-1

Duke ndarë dy-tre këndvështrime me përfaqësuesit e mediave me qëllim që të shërbejnë si “pjesë të bashkëbisedimit dhe të këmbimit ideor, por edhe të komunikimit” – Kreu i Shtetit nënvizoi faktin se, që në ditën e parë të vendosjes dhe hyrjes së tij në zyrën e Presidentit, objektivat dhe prioritetet  do të mbeten shumë të hapura dhe transparente.

“Këto përparësi kanë të bëjnë me ofrimin e një personaliteti, në kuptimin social të fjalës, që reflekton Institucioni i Presidentit të Republikës si respektuesi numër një dhe më i madh dhe më i përgjegjshëm i ligjeve të vendit, i Kushtetutës, padyshim, dhe i respektit institucional, por dhe njerëzor, natyrisht duke i parë gjërat në të gjithë koloritin e tyre, duke qenë gjithmonë i angazhuar, i vëmendshëm ndaj zhvillimeve politike në vend, por duke i rezistuar me çdo çmim përfshirjes në vorbullën politike të ditës. Për të qenë pranë problemeve sociale, jo duke marrë lidershipin e zgjidhjes së tyre, por duke patur zërin më të fortë të mundshëm të prezantimit të shqetësimit qytetar dhe të orientimit në drejtimin e zgjidhjes. Si një zë, i cili ka mbi të gjitha, moralin më të fortë  për të qenë i tillë përveç çka prezanton Institucioni i Presidentit të Republikës për të qenë një nxitës dhe kontribues edhe përmes angazhimit të shoqërisë, në tërësi, por dhe të grupeve të ndryshme shoqërore, veçanërisht të biznesit për jetën kulturore dhe shkencore shqiptare për të cilën besoj që ka ardhur momenti të mendojmë shumë më tepër”.

Bujar-Nishani-Mediat-Mali-Zi-2

Presidenti Nishani u kërkoi përfaqësuesve të mediave shqiptare, duke respektuar politikat redaksionale që ka gjithsecili prej tyre dhe secila nga mediat që ata kanë dhe ku punojnë e kontribuojnë, që të përpiqen sa më shumë të jetë e mundur, larg klisheve, tërësisht të pandikuar dhe të paangazhuar në gjëra artificiale, por me përgjegjësi për të kuruar, në mënyrë të merituar, imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

“Me shumë prej jush e kam ndarë shpesh herë shqetësimin e krijimit të një imazhi dhe perceptimi të padrejtë për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe shpesh herë, për fat të keq, kemi qenë vetë ne kontribues të elaborimit dhe të krijimit të pamerituar të këtij lloj imazhi. Por ne e kemi përsëri në dorë besoj që, duke qëndruar fort sfidave që kemi, duke goditur fort fenomenet problematike që tashmë janë të njohura dhe të shumëdiskutuara, çdo moment të diskutuara në ambientet, veçanërisht në ambientet mediatike; lufta kundër korrupsionit, krimit të organizuar, zbatimi i ligjit, respektimi i ligjit, respektimi i të drejtave të njeriut, përparimi ekonomik, e shumë e shumë gjëra të tjera.” – u shpreh Presidenti Nishani në fjalën e tij.

Burimi: President.al © Republika e Shqipërisë