Gazeta “DAN” akuzon Gjekën për blerje votash

January 11, 2016   | Shtypi / Mediji

Blerja e votashGazeta e përditshme malazeze “Dan”, ka dalë sot me një artikull ku akuzon rëndë kryetarin aktual të Komunës Fatmir Gjeka, për keqpërdorim të mjeteve financiare të Komunës për blerje votash para zgjedhjeve në vitet 2009 dhe 2010, raporton portali informativ Lajm.me.

Sipas kësaj gazete, aktivistët e UDSH-s, në kohën kur Gjeka ishte sekretar për financa, kanë marrë material ndërtimor nga kompania “Gradja Comerce” dhe e kanë shpërndarë në këmbim të votave.

Në total bëhet fjalë për 150 faktura të lëshuara nga kjo kompani, me vlerë 2000-3000 euro secila, duke arritur në shifra skandaloze prej afër gjysëm milioni.
Fakturat janë miratuar nga sekretari i atëhershëm për financa Fatmir Gjeka, edhe pse ky aktivitet është detyrë e Sekretariatit për veprimtari komunale.

Të gjitha fakturat janë nën vlerën e 5000 eurove, pasi për vlera më të larta nevojitet procedura e prokurimit, çka si duket tentohej të shmangej.

“Dan” ka dalë edhe me emrat e personave që kanë marrë materialim nga “Gradja Comerce” që i cilëson si bashkëpuntorë të tij të ngushtë. Ato janë:
Asllan Alaj, Aljo Lukoviq, Islam Xhurretoviq, Azem Çobi, Brahim Laloviq, Shaban Lleshi, Mustaf Aloshi, Myzafer Aloshi, Esat Gjeka, Enver Rexha, Samir Ceni, Azem Kollari dhe Amir Mehmedoviq.

Lajm.me

 

“Dan”: Partnerët e koalicionit të PDS-së blenin vota me material ndërtimor

Aktivistët e Unionit demokratik të Shqiptarëve, partnerit të koalicionit të PDS-së, kanë organizuar blerjen e votave para zgjedhjeve lokale dhe parlamentare në Ulqin duke i mundësuar votuesve që pak para zgjedhjeve të marrin material ndërtues në një kompani të Ulqinit, ndërsa shpenzimet i ka mbuluar Komuna, thuhet në dokumentet e dorëzuara redaksisë së gazetës “Dan”.

Siç thuhet, përgjegjës për gjithçka asokohe ishte funksionari i UDSH-së dhe sekretari komunal për buxhet dhe financa, ndërsa lideri i tanishëm i Partisë demokratike dhe kryetari i komunës së Ulqinit Fatmir Gjeka.

Shtohet që bëhet fjalë për rreth 150 fatura në vlerat prej dy deri në tre mijë euro, e të cilat janë lëshuar menjëherë para zgjedhjeve parlamentare në mars të vitit 2009 dhe zgjedhje lokale të cilat në Ulqin janë mbajtur në vitin 2010, fillimisht në maj, e pastaj edhe në tetor.

Ul.Info