Fatmir Gjeka fton sërish partitë politike në dialog

February 29, 2016   | Lajmet / Vijesti, Politika

Gjeka-bardhi-cungu-loro-ndrekiqKryetari i Ulqinit Fatmir Gjeka, ka ftuar liderët e partive politike në Ulqin që ta tejkalojnë krizën politike përmes dialogut.

Shumica e përfaqësuesve të partive politike të cilëve kryekomunari Fatmir Gjeka iu dërgoi iniciativën për arritjen e marrëveshjes politike për tejkalimin e krizës në Ulqin, kanë përshëndetur këtë veprim, raporton portali Ul.info.

“Kjo është gjë pozitive, por duhet të shohim për çfarë bëhet fjalë. Patjetër që PDS-ja do të shqyrtojë propozimin. Problemet duhet të zgjidhen. Ulqini është i bllokuar tërësisht, e më së shumti, pa fajin e tyre, e pësojnë qytetarët”, tha për “Dan” shefi i PDS-së Loro Nrekiq.

Kryetari i UDSH-së Mehmed Zenka për këtë gazetë tha se partia e tij është e gatshme të marrë pjesë në bisedime i cili do të sillte zgjidhjen e krizës politike duke theksuar se që para një viti kanë propozuar që të bëhet marrëveshja.

Nga Forca është deklaruar se nuk e kanë fituar iniciativën e kryetarit Gjeka. “Çka do të ndodh do të shohim kur zyrtarisht ta fitojmë propozimin”, tha lideri i Forcës Nazif Cungu.

Nga URA dhe PSD-ja thonë se do të shkojnë në takimin të cilin kryekomunari e ka caktuar për të dielën, më 6 mars. “Shpresoj që më në fund do të bëhemi serioz dhe se interesat e qytetarëve do të jenë mbi interesat e ngushta partiake dhe ato personale”, tha shefi i PSD-së në Ulqin Skender Elezagiq.