Edina Hasanaga-Çobaj: Dështimi politik në skenën politike shqiptare në Ulqin

March 3, 2016   | Opinione

edina-hasanaga-cobajSot politikanët lokalë të Ulqinit flasin tërë kohën në emër të interesave të qytetarëve dhe atyre kombëtare, apo zhvillojnë diskursin politik (mos të them populist) se po punojnë për interesin e përgjithshëm, për të mirën e popullit, kombit, bile herë pas here edhe të globit.

Për vëzhguesit e jashtëm, diskursi i tillë politik duket kështu: busolla politike është humbur si kurrë më parë, nuk shprehen ide të qarta politike, masa më e madhe e çështjeve konkrete për të cilat merret besimi i popullit në nivelin lokal siç është planifikimi urban, ndërtimi informal, vjeljet e taksave nuk janë zgjidhur që nga fillimi i pluralizmit. Çdo ditë jemi dëshmitarë të deklaratave publike që kanë të vetmin qëllim të përulin kundërshtarin politik. Për marrëveshje të përbashkëta dhe bashkime politike, të cilat janë më se të nevojshme, as që mund të ëndërrojmë!

Këto çështje, që përbëjnë vetëm disa nga moria e problemeve të shumta që janë grumbulluar në komunitetin tonë, nuk ka arritur t’i rregullojë asnjë nga subjektet politike që kane defiluar në jetën pluraliste. Deri tani të gjithë kanë qenë pjesë e pushtetit lokal dhe në vend që t’i zbusin, i kanë shtuar problemet.

Megjithatë, pa marrë parasysh pakënaqësinë që ka votuesi, elita politike vazhdon sikur memece me të njëjtin diskurs politik i cili tani po fillon të jetë tejet diletant.

Trashëgimia e politikanëve shqiptarë është biseda e madhe për të mirën e vendit dhe çështjet kombëtare. Me këtë dinamikë dhe „sukses“ në skenën politike shqiptare, ekziston frika se do të bëheni ata që mbajnë flamurin e bardhë për qytetin e zhdukur pa ekonomi dhe jetë. Kur të ndodhë kjo, ju lutem të mos shitet patriotizëm se ra qyteti e fajin e kanë serbët e malazezët apo ndoshta jashtëtokësorët! Përgjegjësia e dështimit politik është e juaja dhe vetëm e juaja sepse trashëgiminë tuaj politike e karakterizon inati personal dhe pafuqia për të vepruar në mënyrë të koordinuar në njërën anë dhe paaftësia në anën tjetër.

Nëse nuk jeni të gatshëm për politikë më përparimtare, nëse jeni pjesë e problemit dhe jo e zgjidhjes së tij, nëse Podgoricën e keni më afër se njëri-tjetrin, atëherë mu ato vlera kombëtare që kinse i mbroni dhe i propagandoni, janë në fakt ato që më së shumti ju mungojnë.

Koha javore