Plani për zonën bregdetare nuk është në interes të Ulqinit

March 12, 2016   | Politika

Omer-Bajraktari-URA-ULQINNë hapësirat e Këshillit komunal të Lëvizjes qytetare URA u mbajt konferenca për gazetarë me rastin e përfundimit të shqyrtimit publik për Draftin e Planit hapësinor me dedikim të veçantë për zonën bregdetare.

Integralisht e përcjellim fjalimin e kryetarit të kësaj parti në Ulqin Omer Bajraktarit.

Drafti i planit hapësinor me dedikim të veçantë për bregdetin e Malit të Zi nuk përputhet me interesat zhvillimore të Komunës së Ulqinit. Ky dokument në këtë formë, është vetëm në interes të disa grupeve të interesit, qëllimi kryesor i të cilëve nuk është zhvillimi i qëndrueshëm dhe i përgjegjshëm i kësaj komune, në funksion të të gjithë qytetarëve të saj, gjë që është vërtetuar shumë herë gjatë viteve të fundit, por vetëm zhvillimi spekulativ në interes të disa personave. Si argument i kësaj do t’i përmendi vetëm dy fakte: numri i banorëve vazhdimisht është në rënie, ndërsa papunësia është në rritje konstante dhe është ndër më të mëdhatë në Mal të Zi.

Ky draft plani do të krijonte një kaos urbanistik në Ulqin. Kjo do të ndodhte sepse ky plan nuk është i harmonizuar me planin hapësinor të Ulqinit.

Poashtu, nuk janë shqyrtuar fare vërejtjet e komunës së Ulqinit në këtë plan,  përfundimet e Kuvendit Komunal të Ulqinit që janë miratuar njëzëri, si dhe propozimi i Planit strategjik të zhvillimit të Komunës së Ulqinit.

Mënyra e referimit të përpunuesit dhe Ministrisë ndaj kërkesave dhe interesave të komunës së Ulqinit është poshtëruese për ne.

Pa implementimin e kërkesave strategjike për komunën tonë, të cilat janë në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm dhe të të gjithë qytetarëve, ky plan do të ketë efekte të dëmshme dhe do ishte në funksion të vazhdimit të rrënimit të komunës tonë.

Vërejtjet të cilat i kemi dorëzuar në lidhje me këtë plan i referohen zonës së të mirave detare, Valdanosit, Kripores, Plazhit të Madh, Kalasë, komunikacionit.

Pse zona e të mirave detare?  Sepse ne mendojmë se ajo është ndalesa më e madhe e shfrytëzimit të resurseve tonë në funksion të zhvillimit ekonomik. Qeveria e Malit të Zi, përmes ndërmarrjes publike Të Mirat Detare, menaxhon mbi 33 milion metër katrorë të resurseve më të vlefshme të Ulqinit.

Për këtë kërkojmë që kufiri i kësaj zone, i cili ka karakter diskriminues, mos të përfshihet me këtë plan deri sa të aprovohet ligji i ri dhe të përcaktohet kufiri i ri i të mirave detare. Si argument i kësaj është edhe se në pjesën tekstuale të planit, të mirat detare definohen me ligj të paaprovuar, por edhe fakti se plani hapësinor me dedikim të veçantë për të mirat detare shfuqizohet me këtë plan i cili po ashtu e përcakton këtë kufi.

Sa i takon hapësirës së Kripores, kërkojmë që rreptësisht kjo hapësirë të mbrohet, apo të fshihet nga të gjitha pjesët e planit që parashohin valorizimin turistik të saj me 1500 shtretër. E vetmja zgjidhje për Kriporen është mbrojtja e saj e cila nënkupton prodhimin e kripës  me aktivitetet tjera komplementare. Poashtu, kërkojmë që Studimi mbi mbrojtjen e kripores të jetë pjesë përbërëse e këtij plani.

Për hapësirën e Valdanosit kërkojmë që nga të gjitha pjesët e planit të fshihet shenji D2, që nënkupton betonizimin e këtij lokaliteti me 900 shtretër, si dhe shfuqizimin e studimit të lokacionit shtetëror „Valdanos“, i cili absolutisht nuk është në interes të komunës së Ulqinit. E vetmja zgjidhje për këtë hapësirë është qendër ekologjike për vëzhgimin e natyrës, argëtim, sport si dhe për bujqësi.

Për hapësirën e Plazhit të Madh kërkojmë të implementohet i njëjti model që është i përmbajtur në Master Planin e zhvillimit të Plazhit të Madh, si dhe rritja e kapaciteteve turistike, sepse për komunën e Ulqinit me këtë plan janë paraparë 7.921 shtretër në hoteleri, e kjo është tri herë më pak se sa në Budvë, që mendoj se nuk i përshtatet resurseve të komunës tonë.

Poashtu kemi dhënë vërejtjen në lidhje me trajtimin e Kalasë ku kemi kërkuar që ky monument të klasifikohet në lokalitetet me rëndësi ndërkombëtare kulturore, sepse e dimë që është nisur procedura e aplikimit për UNESCO.

Të nderuar qytetarë,

Këto ditë jemi dëshmitar se ky plan ka shumë mungesa dhe papajtueshmëri, jo vetëm për komunën tonë, por edhe për komunat tjera bregdetare. Për këtë ne mendojmë se qeveria duhet ta tërheq nga procedura. Poashtu duhet më një seriozitet të shqyrtohen komentet dhe vërejtjet, por që mbas shqyrtimit të tyre nuk duhet të dilet me Propozim e planit, por të organizohen përsëri shqyrtime publike me qytetarë, në të cilat u kishin komentuar vërejtjet në këtë plan.

UL.INFO