“Art Club” boton librin “Ngjarje dhe ndodhi në Anë të Malit” të autorit Shevqet Dragaj
Mësuesi në pension Shevqet Dragaj ka botuar këto ditë librin “Ngjarje dhe ndodhi në Anë të Malit”. Libri është botuar nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club” dhe ai është përmbledhje e materialeve me vlerë mbi ngjarjet e ndryshme që kanë ndodhur në trevën e Anës së Malit gjatë dy shekujve të fundit. Libri përbëhet nga 343 faqe dhe në të janë përfshirë 193 rrëfime mbi ngjarje dhe ndodhi të ndryshme, të cilat autori i ka mbledhur nga persona të moshuar përgjatë tri dekadave në vendbanimet e Anës së Malit.
Në parathënien e librit, dr. Nail Draga thekson se “është evidente se shumë ngjarje nga e kaluara janë zbehur apo harruar tërësisht nga fakti se askush nuk i ka shënuar në letër, e në ditët tona kanë mbërritur si gojëdhëna, duke e humbur edhe origjinalitetin, sepse koha e ka bërë të veten”. Prandaj duke pasur parasysh këtë dukuri, botimi i këtij libri merr rëndësi të veçantë, duke bërë që kjo pasuri me vlerë e krijuar ndër vite nga brezat e mëparshëm të mos harrohet.
Redaktor i librit është dr. Nail Draga, recensentë Ali Salaj dhe Ali Gjeçbritaj, lektor Sabri Halili, ndërsa redaktor teknik Gazmend Çitaku.
Libri është shtypur në shtypshkronjën “IVPE” – Cetinë, ndërsa botimi i tij është mundësuar nga Fondi për Mbrojtjen dhe Realizimin e të Drejtave të Pakicave. Për mbledhjen dhe përgatitjen e materialit, autorit i ka ndihmuar bashkatdhetari ynë në SHBA, Cafo Boga.
Shefqet Draga u lind në Oblikë (Shkodër) në vitin 1939. Shkollën fillore e ka kryer në Sukubinë dhe Katërkollë, ndërsa të mesmen – normalen në Prishtinë. Ka punuar mësues në Shkollën Fillore “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu” në Ostros të Krajës (1957-1965) dhe në Shkollën Fillore “Bedri Elezaga” në Katërkollë derisa ka dalë në pension në vitin 1999. Ka pasion mbledhjen e materialit të trashëgimisë kulturore në Anë të Malit. Ky është libri i tij i parë.
Në kuadër të veprimtarisë së tij botuese “Art Club”, botuesi më i madh ndër shqiptarët në Malin e Zi, ka botuar deri tani 110 libra, kryesisht të autorëve shqiptarë në Malin e Zi.
Ulqin, më 24. 03. 2016 SHAI “Art Club”