Gjonaj: Të jetojmë në dashuri, gëzim e harmoni – Video

March 31, 2016   | Reportazh / Reportaža

Gjeke-Gjonaj-UlqinGjekë Gjonaj

Besimtarët katolikë në Komunën e Ulqinit , ashtu si miliona të tjerë në të gjithë botën, javën që lamë pas festuan Ringjalljen e Jezu Krishtit, ose siç njihet nga të gjithë Festën e Pashkëve. Kjo festë, e cila simbolizon ringjalljen e Krishtit, pas kryqëzimit të tij, është festa më e shenjtë për besimtarët e krishterë. Sipas Biblës, me ringjalljen e Krishtit , ndodh kalimi nga vdekja në jetë, nga Premtja e Madhe kur vdes Jezu Krishti pas shumë mundimeve dhe gozhdohet në kryq në të Dielën e Pashkëve kur ringjallet. Kjo festë shërben në forcimin e dashurisë dhe respektit për njëri-tjetrin dhe kultivimin e tolerancës, si vlerë e demokracisë për ne dhe brezat qe do të vijnë.

Mesazhi i don Gabrielit

Në mesazhin e tij don Gabriel Grabanica për të gjithë besimtarët katolikë në veçanti dhe për gjithë popullin shqiptar uroi mbarësi shëndet e lumturi në këtë ditë feste, duke thënë se ringjallja e Jezu Krishtit qoftë gjithmonë rrugëtim i jetës së besimtarëve të krishterë e katolikë dhe e të gjithë njerëzve vullnetmirë. “ Ky mesazh le t’i kalojë edhe kufijt e qytetit të Ulqinit dhe vendit tonë. Të kalojë si mesazh urimi, si mesazh reflektimi, si mesazh bekimi për një jetë më dinjitoze, për një jetë më në harmoni, për një jetë më në dashuri me njëri-tjetrin. Sfidat e këtij shhekulli janë të ndryshme, por kjo festë le t’i mobilizojë forcat shpirtërore, intelektuale, fizike e shoqërore, që të gëzohemi së bashku, të festojmë gjithmonë në jetën tonë së bashku , të jetë gjithmonë i pranishëm bekimi i Zotit, të vetëdijësohemi për një jetë më të mirë shoqërore, për një jetë më të mirë në mes njëri-tjetrit dhe së bashku të mundemi të japim vlera të cilat i ka kjo festë – të jetojmë në dashuri, gëzim e harmoni”, përfundoi urimin e tij don Gabriel Grabanica

Meshët shenjte, bekimi i ushqimeve dhe ngjyrosja e vezëve
Kremtimi i Pashkëve filloi të enjten me meshët shenjte, me përkujtimin e darkës së m’rame të Krishtit me apostuj. Të premten janë mbajtur liturgjitë dhe përshpirtëritë e ndryshme fetare. Po këtë ditë besimtarët sipas traditës kanë ngjyrosur vezët e kuqe. Të shtunën gjatë ditës është bërë bekimi i ushqimeve në të gjitha kishat katolike të Ulqinit. Në mbrëmje të kësaj dite është celebruar mesha e ringjalljes, kurse të dielën janë celebruar meshët e festës së ringjalljes. Famullitarët në prani të besimtarëve të tyre në meshët e ringjalljes së Krishtit bënë thirrje për paqe e shëndet, për harmoni dhe dashuri në mes njerëzve.

Kënaqësia e përbashkët e kësaj feste

Besimtarëve katolikë për këtë festë u janë bashkangjitur edhe qytetarët e besimit islam dhe ortodoks, duke ndarë së bashku kënaqësinë e kësaj feste, duke kryer vizita të ndërsjellta , duke uruar njëri-tjetrin dhe duke marrë dhuratë vezë të kuqe. Kjo traditë e tolerancës , mirëkuptimit dhe harmonise fetare kultivohet në Ulqin me shkekuj dhe është vlerë e cila duhet të përcillet nga brezi në brez. Atmosferën festive e kanë pasuruar edhe tryezat ( tavolinat) me lloj-lloj ushqimesh e pijesh. Kjo festë konfirmoi edhe një herë solidaritetin tonë kombëtar e shoqëror , bashkëpunimin dhe bashkëjetesën shembulllore midis komuniteteve të ndryshme fetare dhe jo fetare në Komunën e Ulqinit.

Politika uron

Politikanët e Ulqinit u kanë uruar besimtarëve katolikë këtë ditë të shënuar gëzimi e shprese, që sjellë nevojën për më shumë harmoni dhe paqe te secili. Ata në këtë atmosferë feste , duke vlerësuar harmoninë fetare shekullore në këtë komunë , bënë thirrje për të forcuar akoma më tej harmoninë me njëri –tjetrin, por edhe besimin në rikthimin e gjithësecilit tek vlerat shpirtërore si një pasuri që duhet trashëguar brez pas brezi.

Kreshmet

Pashkët janë paraprirë nga kreshma që ka zgjatur shtatë javë ditë për besimtarët katolikë të cilët e kanë privuar veten nga prodhimet shtazore.Ky agjërim ka filluar nga e mërkura e përhime dhe ka përfunduar të dielën e palmave , periudhë e cila kujton ditët e kaluara në shkretëtirë dhe Jezu Krishtin në lutje dhe agjërim.

Vlera e posaçme e Pashkëve të sivjetme

Festa e Pashkëve sivjet ka një vlerë dhe përjetim të posaçëm jo vetëm tek besimtarët katolikë të Komunës së Ulqinit, por edhe të qyteteve tjera me shqiptarë kudo ndodhen. Sepse Nënë Tereza e Kalkutës, e cila tërë jetën e saj ia kushtoi ndihmës për të varfërit, do të bëhet shenjtore e Kishës Katolike, në një ceremoni më 4 shtator 2016, ka njoftuar Papa Françesku pak kohë më parë në një takim të kardinalëve për të dhënë miratimin përfundimtar për shenjtërimin e nobelistes së parë shqiptare për paqe dhe humanistes së madhe, simbolit të bamirësisë , dashurisë vetëmohuese për njerëzit e vuajtur në gjithë globin. Miratimi i Papa Françeskut për shenjtërimin e Nënës Terezë është nder i jashtëzakonshëm për popullin tonë, nga gjiri i të cilit doli kjo murgeshë imcake e cila në shekullin e kaluar qe simbol botëror i dashurisë së krishterë ndaj njerëzve më të lënë mbas dore dhe më të mjerë.