Mali i Zi në NATO, Bushati: Shqipëria, politikë me dyer të hapura
Sekretari Kerry nënshkroi dokumentin në emër të SHBA-së, tërbohet Rusia
NATO ftoi zyrtarisht Malin e Zi, të bëhet anëtari i 29 i Aleancës Atlantike të Veriut. Në takimin e Ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve anëtare të NATO-s, që u zhvillua në Bruksel ku dhe u firmos dokumenti për zgjerimin e 7-të të aleancës në historinë e saj, mori pjesë edhe ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. Shqipëria ishte shteti i parë që firmosi protokollin për pranimin e fqinjit ballkanik në NATO. “Shqipëria ka qenë dhe mbetet një promotore e politikës së dyerve të hapura të Aleancës, pasi integrimi euroatlantik është një vizion për një komunitet më të sigurt dhe të qëndrueshëm transatlantik. Akti i sotëm i anëtarëve të Aleancës, ashtu si zgjerimet e mëparshme, janë dëshmi e qartë e suksesit të politikes së dyerve të hapura, si dhe aftësi e aleancës në projektim të stabilitetit në hapësirën euroatlantike”, thuhet në njoftimin për shtyp të Ministrisë së Jashtme.
Sipas procedurës, vendimi duhet të miratohet formalisht nga Senati amerikan dhe parlamentet e vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “ky ishte vetëm fillimi i një kapitulli të ri të sigurisë” në historinë e shtetit ballkanik. Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç, ishte pjesëmarrës edhe në nënshkrimin e protokollit të pranimit të vendit të tij në selinë e NATO-s në Bruksel. Ai tha se vendi i tij, i bombarduar nga avionët luftarakë të aleancës 16 vite më parë, duhet të qëndrojë “krah më krah” me vendet e tjera anëtare të aleancës së udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara. “Mund të mbështeteni te ne në çdo kohë”, tha Gjukanoviç. Kjo ftesë soli reagime të ashpra nga Rusia, që e ka akuzuar aleancën atlantikoveriore se po përpiqet të rrethojë atë dhe kombet aleate të Moskës, si Serbia, si dhe është angazhuar se do të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare dhe interesat e saj.
Deputeti rus Sergei Zheleznyak deklaroi se vendit të tij do t’i duhet të ndryshojë marrëdhëniet me Malin e Zi, që historikisht ka qenë aleat i Rusisë. Takimi i djeshëm i parapriu Samitit të NATO-s që do të mbahet në korrik në Varshavë. Ministrat e Jashtëm të vendeve të NATO-s trajtuan një sërë çështjesh të rëndësishme për NATO-n dhe sigurinë euroatlantike, si mënyrat për t’iu përgjigjur kërcënimeve dhe sfidave të sigurisë në krahun lindor dhe atë jugor të Aleancës, pritshmëritë aleate për Samitin e Varshavës, progresin e bërë në kuadër të misionit të NATO-s “Resolute Support” në Afganistan, si dhe kuadrin politik të bashkëpunimit të NATO-s me BE.
Almakos





