Camaj: Festat që ndajnë!

May 23, 2016   | Opinione

Nikollë CamajMali i Zi dje festoi 10 vjetorin e pavarësisë. Shteti, i cili në të gjitha akte njihet si shteti i malazezve, e pastaj i të tjerëve, përqindjen malazezo-etnike e ka nën 50%, por kjo nuk i pengon që , kur është në pyetje heraldika, nën këtë më pak se 50%, t’i fus edhe ata që nuk ndihen dhe nuk janë malazezë. Këtë Mali i Zi e dëshmoi edhe gjatë festimit të këtij përvjetori, me ç’rast nëpër qytetet shqiptare në Mal të Zi nuk u valëvit asnjë flamur shqiptar. Edhe pse sipas ligjit në fuqi, flamuri i pakicës, karshi flamurit shtetëror, valëvitet edhe gjatë festave shtetërore të Malit të Zi, në ato vise ku pakica përmban shumicën, kjo nuk u realizua në praktikë. Por, siç u pa, në skenë, aty ku duhet të qitet pluhur syve, u panë pika muzikore shqipe dhe shoqata nga trevat etnike shqiptare. Pa flamur, natyrisht!

Në manifestimin në Tuz, në publikë fëmijët e shkollave fillore ishin rreshtuar, tamam si në kohën e Titos. Po ashtu, në publik, si në Tuz, Podgoricë edhe Cetinë u panë edhe ata që, me të drejtë ngritën zërin për fyerjen që na bëri Akademia malazeze e shkencave, e edhe sish që do të duhej ta kishin ngritur zërin. Por, të parët e paskan pas ngritur, si duket, sa për t’i hyr dikujt në qejf, si edhe të dytën që kanë heshtur, për ty hyrë në qejf dikujt tjetër.

Meqenëse Akademia veç zbaton politikën që e dirigjon udhëheqësja malazeze, atë të asimilimit, aty nuk e kishin vendin liderët politikë shqiptarë nga Mali i Zi, e besa as ata nga rajoni, pasi që qëndrimi shoven i Akademisë duhej të shfrytëzohej për t’i dhënë një mesazh Gjukanoviqit dhe Akademisë serbe, ops, malazeze, se malësorët nuk janë të albanizuar, por janë shqiptarë den-baba-den, në trojet e veta etnike, dhe se deri sa të mendojnë kështu, ne, së paku nuk mund të festojmë së bashku. Prandaj, pa qëllim që të zhvlerësoj atë që të tjerët e kanë thënë, shkruar apo bërë, mendoj se bojkoti i manifestimit do të ishte mesazh më i qëlluar, se të gjitha reagimet e veprimet publike të deritashme, lidhur me shkarravinat e akademikëve malazezë.

Shqiptarët, dhanë kontributin maksimal në kthimin e shtetësisë së Malit të Zi. Por, si na u kthye. E mënyrë se si na u kthye (Fluturimi i shqiponjë, fshirja nga regjistri i zgjedhësve që jetojnë jashtë shtetit, e që kishin ardhur për të votuar në referendum për pavarësi, grabitja e pronave, komuna e Tuzit etj.), së paku jep arsye që të mos festojmë me ta. Prandaj, ne disave as që na kishe rënë ndër mend të festonim, edhe pse idenë e republikave sovrane të Malit të Zi e të Kosovës e propagandonim atëherë kur këta zotërinjtë që po ia “marrin mazën”, e kundërshtonin me forcën e Akademisë dhe të ushtrisë. Sot ata po vazhdojnë kundra nesh, por vetëm me forcën të akademisë, forcë kjo që e kapërcen atë të ushtrisë! Dhe disa po u thonë mashalla!

Bota Sot