Si dhe kur erdhën familjet malazeze në Mal të Brisë ?

May 30, 2016   | Opinione

Gjeke-Gjonaj-UlqinGjekë Gjonaj

Mali i Brisë, bazuar në dokumente arkivore të Cetinës, në kohën e sundimit turk ka qenë i banuar me malësorë nga Kelmendi, Shkreli e Kastrati, të cilët këtë lokalitet e shfrytëzonin gjatë stinës së dimrit, sepse konsiderohej si vend i përshatshëm për kullosa të mira. Supozohej se në këtë territor, përveç atyre që vinin çdo dimër, kishte të vendosura rreth 70 familje malësorësh të përhershme. Malësorët këtë territor, pronësia e të cilit ishte e padefinuar, e shfrytëzonin edhe për pyje, për prodhimin e qymyrit dhe të gëlqeres. Disa nga ata, edhe pse me përfundimin e dimrit ktheheshin në bjeshkët prej nga kishin ardhur, pas disa kohe filluan të vendosen si banorë të përhershëm, duke rrethuar disa qindra rrallë tokë. Ky veprim i malësorëve nuk pengohej nga pushteti turk. Por pas marrjes së këtij territori nga Mali i Zi malësorëve nuk u është njohur kjo e drejtë. Secili që ka pretenduar këtë është dashur të posedojë tapinë ligjore për tokën në të cilën ka jetuar. Për këtë qëllim në vitin 1883 është ngritur një komision sipas të cilit vetëm një malësor ka pasur tapinë e tokës. Këtë rrethanë Mali i Zi e ka shfrytëzuar dhe në vitin 1884 e shpall Malin e Brisë pronë të shtetit. Me këtë vendim të qeverisë malazeze malësorëve u ndalohet shfrytëzimi i mëtejshëm i tokës, kullotave dhe pyjeve pa pagesë në këtë territor.Të njëjtin vit qeveria malazeze urdhëron që çdo malësor që ka qenë banorë i përhershëm dhe dëshiron të shfrytëzojë pronën shtetërore si kullosë duhet të paguajë rreth 400 napoleona në vit. Shpallja e Malit të Brisë pronë shtetërore nga krajli dhe qeveria malazeze u bë me qëllim të konfiskimit final të kësaj toke, largimit (zhvendosjes) të malësorëve dhe kolonizimit me banorë malazezë.

Këtyre synimeve ogurzeza dhe qëllimkqia të krajlit dhe qeverisë malazeze malësorët u rezistuan deri në vitin 1891, kur edhe largohen me luftë nga ky lokalitet. Malin e Brisë pas largimit të malësorëve krajli e shpall “ Territor të vetin të paprekshëm ” . Pas largimit të malësorëve ky rajon u lejohet ta shfrytëzojnë kuçasit dimrit për kullosa. Kuçasit, sikurse më parë malësorët, vinin çdo dimër me bagëti, duke i shfrytëzuar kasollat ( dbanet) e malësorëve, të cilat kanë mbetur pas tyre. Kolonizimi i Malit të Brisë realizohet në vitin 1902. Atë vit krajli vendosi që toka e punueshme në këtë territor t’u ndahej familjeve malazeze të cilat kishin ardhur më parë dhe ishin vendosur në rajonin e Ulqinit. Sipas rregullores të aprovuar nga Ministria e Punëve të Bredshme, me 1 prill 1902, mbi ndarjen dhe kolonizimin e Mailt të Brisë, çdo familjeje malazeze i është ndarë nga dy rrallë tokë dhe hapësirë për ndërtimin e shtëpisë.

Për numrin e familjeve koloniste malazeze në Mal të Brisë nuk ka të dhëna, por në dokumente historike thuhet se pas shpërnguljes së malësorëve kishin ardhur 100 familje kuçase, kurse në vitin 1898 kanë ardhur 516 frymë. Ndërkaq gjykuar sipas nenit 2 të Ligjit mbi kolonizimin ne Malit të Brisë, i cili është miratuar më 9 shkurt 1910, ky numër nuk ka mundur të jetë më i madh se 60. Me këtë ligj familjeve koloniste u është njohur e drejta e shfyrtëzimit të tokës të cilën e kanë punuar deri tash ( rreth 120 rrallë). Përveç kësaj u është ndarë edhe nga 4 parmendë ograjë). Çdo banor i ri, i cili do të vendoset në Malin e Brisë, do të fitonte ndihmë nga shteti një ka dhe 150 perperë, me kusht që aty të jetojë si i përhershëm ose të paktën tri vjet radhazi.Kolonistët janë bërë pronarë të ligjshëm të tokës 10 vjet pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, respektivisht nga dita e vendosjes së tyre nëse janë vendosur pas miratimit të këtij ligji. Tokën që e kanë fituar nuk ka mundur t’ua marrë askush derisa kanë banuar aty dhe derisa e kanë punuar. Në të kundërtën toka ka kaluar në pronësi të shtetit. Secila familje ka qenë e detyruar ta rrethojë tokën. Pjesa tjetër e hapësirës tokësore të Malit të Brisë e cila nuk është shpërndarë është shpallur komunë e të gjithë familjeve të vendosura në Mal të Brisë. Thuhet se numri i familjeve të vendsoura në këtë rajon menjëherë pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore nuk ka qenë më i madh se 60-70.

Kërkesat për të fituar të drejtë vendosjeje në këtë territor shtoheshin vazhdimisht. Në mesin e shumë familjarëve shqiptarë që paraqitën kërkesën zyrtare për të jetuar në Mal të Brisë është edhe Luka i Tomës ( sllavisht Lluka Tomov) nga Trieshi, e cila do t’i mundësonte atij që ta shfrytëzonte edhe kullosën shtetërore përreth shtëpisë, ashtu siç e shfrytëzonin edhe malazezët e tjerë.