U mbajt në New York pikniku madhështor i Shoqatës “Ana e Malit”

June 1, 2016   | Bota

New York  pikniku i Shoqatës Ana e MalitTë Dilën, me 29 Maj 2016 në FDR State Park ( NY) , u mbajt pikniku i Shoqatës ” Ana e Malit”, i organizuar në kuadër të piknikut të përbashkët të paralajmëruar i pesë Shoqatave të diasporës shqiptare . Pikniku i Fondacionit ” Plavë- Guci” dhe Shoqatës “Malësia e Madhe-NY” u mbajt në fushën ( zonën) numër 1 të parkut kurse Pikniku i Shoqatës “Ana e Malit “, Shoqatës Atdhetare ” Kraja ” dhe Fondacionit ” Dom Simon Filipaj” në fushën (zonën ) numër 4 të parkut. Kjo është hera e dytë që organizohet pikniku i përbashkët nga shoqatat e lartëpërmendura.

Edhe përkundër temperaturës së lartë , koha e ditës së Dielë ishte shumë e përshtatshme që pjesëtarët e komunitetit shqiptar të kalojnë një ditë të bukur në natyrë duke u argëtuar, duke luajtur sporte të ndryshme (si fëmijët ashtu edhe të rriturit), me ushqime tradicionale, duke vallëzuar në  hapësirë të hapur me muzikë shqipe,  apo thjesht duke u takuar me ndonjë mik apo shok ( shoqe) me të cilin ( cilën) nuk jeni parë për një kohë të gjatë.

Interesimi për të marrë pjesë në piknikun e organizuar nga Shoqata ” Ana e Malit ” ishte i lartë, dhe në orat e para të mëngjezit të ditës së Dielë, me qindra bashkatdhetarë udhëtuan drejt parkut nga zonat e ndryshme të New York-ut me rrethe, çka ndikoi që pjesëmarrja në këtë piknik të jetë masovike.

Ashtu si edhe në piknikët e mëparshëm edhe kësai rradhe u organizuan gara në sporte të ndryshëm si në futboll( për fëmijë dhe të rritur), në volejboll ,në shah, në tërheqjen e litarit,në shah dhe në matjen e fuqisë  së dorës ( krahut).

New York  pikniku i Shoqatës Ana e Malit-1

Në turnirin e fotbollit për të rritur garuan 8 ekipe: Krytha, Sukubina, Katërkolla, Shtodri, Kravari, Milla/Bojku, Kllezna I dhe Kllezna II . Ndeshjet gjysmë finale u luajtën në mes të Sukubinës e Katërkollës dhe Shtodrit dhe Klleznës  I , ku fitues dualën ekipet e Katërkollës dhe Shtodrit. Ndeshja finale në mes Katërkollës dhe Shtodrit ishte një ndeshje konkuruese e dy ekipeve të forta e cila përfundoi me rezulltat minimal 1:0 në favor të ekipit të Katërkollës ,ekip ky i cili u shpall fitues i turnirit të fotbollit.

Në garën e volejbollit fitoi ekipi ” Undefeated ” ( ” Të pamposhturit”), në garën e tërheqjes së litarit: ekipi ” Krytha”, në shah :Sabri Gjoni, dhe në matjen e fuqisë së dorës ( krahut):Artan Çapriqi. Ashtu si gjithëmonë, edhe kësai radhe , të gjitha garat u zhvilluan në një atmosferë dëfrimi, dhe me një frymë vëllazërore e mirëkuptimi  nga të gjithë konkuruesit .

Një risi e piknikut ishte organizimi i lotarisë , me ç’rast  pjesëmarrësit sprovojnë fatin e tyre me qëllim që të fitojnë shpërblime apo dhurata të sponzoruar nga afaristët e komunitetit , ku të ardhurat e mbledhura derdhen në fondin e Shoqatës. Gjithashtu, gjatë piknikut, në Shoqatën ” Ana e Malit”, u anëtarësuan edhe disa anëtarë të rinj të komunitetit.

Në orët e pasdite të piknikut, u zhvillua edhe një program i shkurtë me ç’rast u intonua himni amerikan për nderë të Ditës së Dëshmorëve në SHBA ( Memorial Day). Më pas  , pjesëmarrësve iu është drejtuar kryetarja e Shoqatës ” Ana e Malit” në NY , znj. Emmie Salaj e cila falenderoi të gjithë ata që kanë dhënë dhe vazhdojnë gjithënjë të japin kontribut për Shoqatën dhe për komunitetin shqiptar në përgjithësi. Ju rikujtojmë se znj. Salaj u zgjodh kryetare në muajin Shkurt të këtij viti si femra  e parë në këtë detyrë udhëheqëse të Shoqatës ” Ana e Malit”. Bashkatdhetarëve në piknik iu drejtua edhe anëtari i Asamblesë së New York-ut, z. Mark Gjonaj i cili është përkrahës i fuqishëm dhe sponzorues i piknikut  dhe i shumë aktiviteteve të tjera që organizohen në komunitetin shqiptar. Z. Gjonaj, në këtë piknik ndau Mirënjohje për Shoqatën ” Ana e Malit”, Shoqatën  ” Kraja” dhe Fondacionin ” Dom Simon Filipaj” për punën dhe veprimtarinë e tyre që ata bëjnë në komunitetin shqiptar. Piknikun e vizituan edhe grupi i motoçiklistëve shqiptar ” Sons of Illyria” ( Bijtë e Ilirisë).

Për pjesën argëtuese dhe muzikore në piknik , u përkujdes djaloshi i ri DJ Ranti ( Durant Zeneli) i cili gjithë kohën e tij të qendrimit në piknik ia dedikoi argëtimit muzikor të pjesëmarrësve. Ky është një kontribut i vazhdueshëm që DJ Sammy Z  i jep Shoqatës ” Ana e Malit” për çdo vit me radhë ,me rastin e organizimit të piknikut. Një  freski e rastit në piknik ishte paraqitja e këngëtarit të njohur dhe të adhuruar të komunitetit tonë , z. Hajro Ceka,  me disa këngë nga repertoari i tij i këngëve popullore shqiptare.

Pikniku i përbashkët ishte një sukses duke pasur parasysh numrin e madh të pjesëmarrësve si dhe interesim të konsiderueshëm për aktivetetet e ndryshme që mbahen në kuadër të piknikut. Vlen të theksohet se pjesa dërmuese e pjesëmarrësve në piknik janë të rinjët dhe fëmijët dhe është një kënaqësi kur shumë prej tyre i sheh të mveshur kuq e zi dhe që e ndijenjë vehten krenar që janë shqiptar. Andaj, organizimi i takimeve të tilla,siç është pikniku , kanë një rëndësi të veçantë në rend të parë në kutivimin dhe përforcimin e marrëdhënieve dhe ndërlidhjeve në mes pjesëtarëve të komunitetit,pa dallim krahine, mbajtjen e kompaktsisë dhe unitetit të komunitetit tonë dhe së dyti, bartja apo trashigimia e ndjenjës së traditës dhe identitetit tonë kombëtar tek brezat e rinj.

Përgatiti:

Xheladin Zeneli

1 Qershor 2016

Për ma shumë Foto – Shoqata Shqiptaro-Amerikane “Ana e Malit” – Facebook