Dhuna mes bandave trondit Kotorrin ne Mal të Zi

June 7, 2016   | Rajoni / Region

SAJ-Mali-ZiPolicia dërgoi njësi anti-terror në qytetin bregdetar të Kotorrit të hënën në mbrëmje për të parandaluar përplasjet e tjera mes bandave të drogës pas një seri vrasjesh dhe të shtënash në muajt e fundit.

Ministria e Brendshme ka paralajmëruar se situata në Kotorr është “alarmante”, pasi dhuna mes bandave kriminale e detyroi ministrinë të dërgojë trupa anti-terror në qytetin bregdetar të hënën.

Autoritetet kanë frikë se dhuna mund të rrezikojë sezonin turistik në Kotorr, i cili vizitohet çdo vit nga mijëra turistë të huaj me anije turistike luksoze.

Ministri i brendshëm Goran Daniloviç, i cili udhëtoi gjithashtu në Kotorr të hënën bashkë me prokurorët, tha se nëse nuk ka rezultate konkrete në zgjidhjen e dhunës deri të enjten, ai do ta kërkojë përgjegjësinë te hetuesit.

“Kotorri është tani i rrethuar”,- tha Daniloviç.

“Nëse personat që janë ende të lirë nuk sillen përpara drejtësisë, asgjë tjetër nuk mund të jetë një garanci për ne. Kotorri duhet të pushojë së qenuri në qendër të përleshjeve midis bandave kriminale rivale”,- shtoi ai.

Ai tha se zhvillimet në qytet e kanë tejkaluar juridiksionin e policisë lokale dhe se i gjithë sektori i sigurisë dhe drejtësisë duhet të përfshihet në trajtimin e problemit.

Shkëmbimi i fundit i zjarrit shpërtheu në Kotor të premten, vetëm pak orë pasi drejtori i policisë Slavko Stojanoviç dërgoi një njësi të veçantë në qytet si një “garanci se nuk do të ketë përleshje të reja”.

Një vendpushim i vogël me një qytet mesjetar të vjetër në gjirin Boka, që është në listën e UNESCO për trashëgiminë botërore, Kotorri bëri bujë një dekadë më parë, pasi u zbulua se baroni ballkanik i drogës Darko Sarçiç kishte filluar të investonte shuma të mëdha parash atje, kryesisht në sektorin e turizmit.

Një nga diskotekat më të mëdha në detin Adriatik, Maximus, që tërheq mijëra të ftuar çdo verë, thuhet se është menaxhuar nga një prej kompanive të themeluara prej Sariç në Kotor në mesin e viteve 2000.

Në një vendim të shkallës së parë në korrik të vitit 2015, Gjykata Speciale e Beogradit për Krimin e Organizuar e dënoi Sariç me 20 vjet burg për kontrabandën e kokainës nga Amerika Latine.

Gjykata dënoi gjithashtu rreth 30 të pandehur të tjerë, 14 prej të cilëve janë ende në arrati, për kontrabandë me më shumë se pesë ton kokainë nga Amerika e Jugut në vitin 2008 dhe 2009, duke u dhënë atyre dënime me burg nga pesë muaj në 20 vjet.

Shkëmbimet e para të zjarrit në Kotorr shpërthyen në vitin 2008 dhe dy vjet më vonë, një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë Sariç, Zoran Friç Dudiç, u qëllua për vdekje në sheshin kryesor të qytetit në mes të ditës.

Në tre muajt e fundit, Kotorr ka parë gjashtë përleshje të armatosura midis klaneve rivale të drogës dhe në prill, Srdjan Vllahoviç, i cili thuhet se është i lidhur me një nga rrjetet kryesore të narkotikëve, u vra.

Mes pakënaqësisë publike për dhunën, një ekip i posaçëm hetimor nga Prokuroria Speciale për Krimin e Organizuar dhe Korrupsionin pritet hetojë çështjet.

Prokuroria tha të hënën se derisa Prokuroria Speciale të marrë përsipër çështjet, ajo do të vazhdojë të merret me hetimet sa më shpejt të jetë e mundur./BIRN/

MAPO