“Onufri” në ndjekje të frymës Kadare, botohet “Puthësi i paligjshëm” – Azem Deliu

June 8, 2016   | Kulturë / Kultura

Puthësi i paligjshëm – Azem DeliuSot, më datë 07.06.2016. u bë hapja zyrtare e edicionit të 18-të të Panairit të Librit “Prishtina 2016”. Në të njëjtën ditë, në ambientet e Institutit Albanologjik në Prishtinë, Shtëpia Botuese “Onufri” përuroi romanin “Puthësi i paligjshëm” të autorit të ri e perspektiv, Azem Deliu.

Profesoreshat paneliste të Universitetit të Prishtinës, Dije Demiri-Frangu dhe Serafina Lajçi vlerësuan denjësisht krijimtarinë e autorit të ri Deliu. U tha se autori e njeh letërsinë në dy rrafshe, si krijues dhe si student shumë i mirë i letërsisë dhe se atë e karakterizon dashuria dhe pasioni për letërsinë, por edhe perspektiva e veçantë e të menduarit.

Romani “Puthësi i paligjshëm” është libri i dytë i autorit, pas përmbledhjes poetike “Funerali i shiut”, botuar në nëntor të vitit 2013 nga shtëpia botuese “Onufri”, që ka të drejtat ekskluzive të botimit në shqip të veprave të shkrimtarit të mirënjohur shqiptar, Ismail Kadare.

Ngjarja ngjanë në Republikën e Moralistës, ku i riu Ivan Shollohov burgoset për një arsye nga më të papërfytyrueshmet: puthje jashtë orarit të lejuar. Në një shtet ku privatësia nuk ekziston, ku identiteti është në krizë të vazhdueshme dhe ku gjithkush, gjithkund, është në rrezik. Përpjekja nuk shkon kah portretizimi besnik i një diktature, siç jemi ta shohim në letrat shqipe të pasviteve 90’ por kah një rrëfim dinamik që ka në qendër ankthin e karakterit dhe diktaturën e bën shumëdimensionale: pa kohë dhe pa vend.

Autori i ri, Azem Deliu, është laureat i “Çmimit për krijuesin e ri” në vitin 2013 si dhe bartës i çmimit të universitar ‘’Student i dalluar i Fakultetit të Filologjisë”.

Ai nuk e fsheh për asnjë rast ndikimin e frymës Kadare në fillet e krijimtarisë së tij. Në një intervistë të dhënë kohë më parë, ai do shprehej qartësisht, se: “Shkrimtarët edhe pëlqehen, por edhe kritikohen. Unë jam pëlqyer, e gjithashtu edhe jam kritikuar, për të njëjtën gjë: influencën e Kadaresë. Natyrisht që një shkrimtar nën të njëzetat nuk do të mund të krijojë model të vetin. por do ta fillojë krijimtarinë si përpjekje për t’i ngjarë një shkrimtari të madh të cilin e merr për model.

Në fillimet e mia ky shkrimtar ishte Ismail Kadareja, pikërisht sepse, janë veprat e këtij autori, që më tërhoqën ngadalë, nën magjepsjen e leximit, drejt letërsisë, më saktë, tentimit për të krijuar letërsi”.
Përndryshe, Panairi i Librit “Prishtina 2016” do të jetë i hapur deri më datë 12 qershor 2016. Pritet frekuentim record i dashamirëve të librit. Në asnjë rast nuk do të mungojnë risitë dhe veprat më të njohura të emrave më të theksuar të letërsisë kombëtare e ndërkombëtare. Qëllim më vete i këtyre eventeve është padyshim edhe promovimi dhe inkurajimi i emrave të rinj e premtues.

A.S.