Portret: Noc Zefi Shkrela ( 1909-1981)

June 15, 2016   | Kulturë / Kultura

Noc Zefi ShkrelaBurrë zotëri e fisnik

 

Gjekë Gjonaj

Unë nuk e kam njohur Noc  Zefin Shkrela nga Shtoji i Ulqinit , por  për të nga shumë njerëz  kam dëgjuar vetëm fjalë të mira.  Të gjithë ata që e kanë njohur, që janë shoqëruar   dhe të tjerët   të cilët e kanë parë  edhe një herë të vetme, apo kanë dëgjuar për këtë malësor  me origjinë nga krahina e Shkrelit   janë të një mendimi se ai mbi të gjitha ka qenë një burrë zorëti dhe fisnik   me plot gojën.  Ka lindur  para 107 vitesh në fshatin turistik  Razmë të Vrithit , Komuna e Shkrelit . Ishte gëzimi i parë familjar  i  Zef Prëçit  dhe bashkëshortes së tij  Pashkës, të cilët kishin edhe dy fëmijë të tjerë: djalin Gjonin dhe vajzën Paulinën.

 

U rrit jetim në skamje rrëzë malit të Veleçikut

 

Jeta e tij e fëmijërisë  ka qenë mjaft e hidhur  dhe e vështirë.  Në moshën gjashtë vjeçare i vdes babai (60 vjeç).  Për  Nocin , vëllain e tij  Gjonin  tri vjeç dhe motrën Paulinën  një vjeçe kujdeset nëna e tyre. Ajo në kushte  të tre fëmijët jetimë ( pa baba)  i rriti  me shumë mundim e  sakrificë, por me dashuri te madhe prindërore. Ekonomia e vetme shtëpiake e kësaj familjeje   të ndershme malësore të Shkrelit   për të mbijetuar ishte blegtoria. Fëmijëra e tyre pasqyron realitetin e kohës . Në kushtet  e një jete të vështirë nomade, Noci si shumë moshatarë të tjerë të asaj kohe në Malësinë e Madhe, u privua nga arsimimi.  Formimi i tij  fillon natyrshëm në  frymën e traditës së  kësaj krahinë. Kodi moral ishte shkolla e tij  e  vetme, e cila e bëri  të dallohej në mesin e  bashkëkohësve të vet, si një burrë i urtë, punëtor, i ndershëm, i drejtë, bujar e bamirës.

 

 Shpërngulja në Shtoj të Ulqinit

 

Kjo familje  në kërkim të një jete më të mirë shpërngulet në Shtoj të Ulqinit. Aty fillimisht blejnë pak tokë dhe ndërtojn një   kasollë të vogël me kashtë me një dritare të vetme.  Pas pak kohe  ndërtojnë një shtëpi  të vogël prej guri me dy dritare, ndër shtëpitë e para të këtij lloji në Shtoj.  Më vonë rreth viteve 1925 blejnë sipërfaqe të mëdha toke  nga  Millosh Radov Jançiq në  shumë prej 25  mijë dinarësh, vlerën e 25 penëve qe të asaj kohe.

 

Burrë i dy grave

 

Noc Zefi u martua dy herë. Jo me dëshirën e tij, por për arsye të vdekjes së hershme të gruas së parë. E zgjedhura e parë e tij, kur ai ishte adoleshent , 16 vjeç, ishte Pashka. Me të ka pasur vetëm një vajzë –Agen. Ajo tani është 86 vjeçe dhe jeton  në Amerikë. Pashka ishte jetëshkurtër. Pas tri vjet martese me Noc Zefin vdes shumë e re. Vajzën e saj të vetme  Agen e rriti axha i saj Gjoni me bashkëshorten e tij Mrikën.  Noci pas tri vitesh martohet për herë të dytë   me  Marinë ( 16 vjeçare) nga Selca e Kelmendit. Me këtë grua  ka pasur 8 fëmijë: Lenën, Zefin, Prelën, Pjetrin, Gjysten, Dranen, Markun  dhe Marinë . Të gjithë janë gjallë, të martuar  dhe familjar.

 

Djalin e madh ia falë vëllait

 

Noc Zefi deri vonë ka  jetuar bashkë  në një kulm të shtëpisë  me të vëllanë e tij Gjonin. Ai, duke u ndijer keq për shkak se vëllai i tij Gjoni dhe bashkëshortja e tij Mrika nuk kishin fëmijë , vendosi t’ua falë atyre dalin e tij të madh Zefin, të sapo martuar.   Ky i fundit  të dielën  e kaluar në mëngjes në plazhin më të bukur e më atraktiv  të  Ulqinit “ Kopakabana”, më konfirmoi këtë  vendim të babait të tij, i njohur në traditën e  maleve të Malësisë së Mbishkodrës. “  Po .  Vetëm pak kohë pasi u martova babai im Noci më tha biro   tash e tutje do të jeshë jo vetëm djali im, por edhe djali i vëllait tim, Gjonit. Këtë vendim e solla për ta gëzuar vëllan tim dhe kunatën time  pa fëmijë , në mënyrë që edhe ata sadopak  të shijojë kënaqësinë dhe  lumturinë e të qenurit prindër.  Prej atëherë gjithmonë kamë jetuar me ta së bashku  derisa  ishin gjallë.  Aq janë përkujdesur për mua saqë  asnjëherë nuk e kam ndier mungesën e prindërve, të vëllezërve e motrave me të cilët vazhdimisht kemi pasur raporte shumë të afërta, pavarësisht se  jetuam ndarazi njëri nga tjetri.”, rrëfen  me krenari Zefi. Ai edhe sot jeton i lumtur  në shtëpinë e axhës . Kjo ndarje apo shkëputje fizike e Zefit  nga babai, nëna, vëllezërit dhe motrat, siç shprehet ai,  nuk i ka shkaktuar atij asnjë problem në jetën e tij  familjare. Sepse axha dhe nusja e axhës së tij e kanë konsideruar atë  sikur ai të ishte  djali  i tyre biologjik.  Nga ana tjetër edhe Zefi me bashkëshorten dhe fëmijët e tij gjithmnonë e kanë nderuar, respektuar dhe janë përkujdesur për  axhën  me të shoqen e tij,  jo më pak se sa për prindërti e tij të vërtet.    ( Vijon)