Barkat e Noc Zefit si dhe Strehoi Cafo Beg Ulqinin

June 23, 2016   | Ngjarjet - Events

Noc Zefi ShkrelaBarkat  e Noc Zefit  

Me punë  të ndershme, djersë  dhe marrëveshje familjare   shtohet ekonomia  shtëpiake. Kështu edhe Noc  Zefi,  me ndihmën e vëllait të tij Gjonit, ia dolën të ngrisin standardin familjar, të shtojë grigjën e dhënve , të punojnë tokën, madje  të blejnë edhe dy barka , pronar i të cilave ishte Noci, meqë i takonin si zot shtëpie ( kryefamiljar) që ishte. Sipas fjalëve të bashkebiseduesit tonë  Zefit  barkën e pareë“ Sllani”  e ka blerë në kriporen e Ulqinit. Me këtë barkë, të cilën e ka drejtuar kapetani ulqinak në pension   Hasan Karamanaga,    ka trasnportuar   deri në 200.000 kilogramë  shalqi ( bostan ) nga fshatrat përreth lumit Buna për    në Korçullë të  Kroacisë. Kjo barkë fatkeqësisht përmbyset dhe mbytet  në kthim nga Kroacia  në grykë të lumit Buna e ngarkuar me tjergullat e Lush Mirëditës nga fshati Kllezën. Për fat të mirë ekipazhi i barkës Noc Zefi  dhe kapidani  Hasan Karamanaga  shpëtuan.

Dr. Gani Karamanaga, djali i kapidanit të anijes “ Sllani” evokon këto kujtime për Noc Zefin: “Noc Zefi Shkrela   me babin tonë ka pasur një miqësi dhe bashkëpunim të mirë. Atë e kemi pasur  edhe si mik në shtëpinë tonë në Kala. Më kujtohet kur erdhi një herë  dhe i tha babait: “ Kapidan, shtëpinë e ke të bukur, por nuk më pëlqen se në shtëpi hyni drejt prej rruge, për arsye se nuk keni oborr përpara..”Ai më kujtohet si një burr në moshë, me flokë gjysëm të thinjura, punëtor i madh, bisedues i mirë.Në barkën “Sllani” babai ishte kapidan, kurse Noci motorist dhe detar. Babai thonte se Noci shpejt e ka përvetësuar zanatin e detarit.Noc Zefi , sipas kallëzimit të djalit të tij të madh  Zefit, pas pesë vjetësh blenë barkën e dytë me targa UL-6 me të cilën për shumë vjet ka trasnportuar mall në sasi deri në 150.000 kilogramë  dhe ka lundruar  deri në Dubrovnik .

 

Strehoi  Cafo Beg  Ulqinin

Noc Zefi  ka pasur miqësi  të ngushtë me  figurën e  njohur kombëtare  Cafo Beg Ulqinin.  Ai, në kohën e Luftës së Dytë Botërore,  kur Partia Komuniste në  Mal të Zi  e kërkonte Cafin  e strehoi   dhe e ndihmoi  largimin e tij për  në   Shqipëri, në vitin 1953.  Cafi, sipas rrëfimit  të Zef Nocit, ka qëndruar gjatë në shtëpinë e tyre, në një kthinë pothuaj të padukshme  të shtëpisë së tyre ku ishte vendosur paja e nusërisë së nënës së tij . “Për  këtë fshehtësi , ne fëmijët, nuk dinim asgjë . Vërenim   vetëm se Mrika, bashkëshortja e Gjon Zef Prençit- Shkrelit përmes dritares së kamufluar të kthinës   dërgonte  dikujt ushqimin. Nuk guxonim as të afrohemi aty pari  edhe pse ishim kureshtarë të dinim  se cili njeri qëndron aty. Sekretin e kësaj historie e mësuam   pas viteve 196o, në kohën kur Cafo Beg Ulqini kishte dalë nga burgu. Cafi deri sa ndodhej në burg  na  dërgonte kartolina për Vitin e  Ri  me pseudonimin  Dodë Binaku”, tregon Zefi.

Barka-Noc-Zefit

 

Shembull i bamirësisë

Jeta dhe vepra e Noc Zefit  është një veprimtari e tërë ku mishërohen virtytet bujare të malësorit. Ajo është shembull i dashurisë, respektit dhe bamirësisë shqiptare. I rritur dhe i edukuar në një familje me tradita kur e mori veten materialisht   nuk ka lënë  pa ndihmuar asnjë njeri në nevojë.  Noci thonë  nuk njihte lodhje. Ishte  punëtor i madh,  i pashëm, pedant, i dashur e komunikues  dhe i thjeshtë. Për të gjitha këto që thamë dhe shumëtë tjera të pathëna ky burrë fisnik i maleve meriton të kujtohet dhe të nderohet.