Mali i Zi ka strehuar jemenasin e dytë të liruar nga Guantanamo

June 23, 2016   | Ngjarjet - Events

GuantanamoMali i Zi ka strehuar edhe jemenasin e dytë të liruar nga Guantanamo. Kjo u bë në bazë të programit që e ka nisur Qeveria e SHBA-së me qëllim që të mbyllë bazën Guantanamo në Kubë, transmeton Koha.net.

Fjala është për Abdel Malik Abdel Wahab al-Rahabi i cili në Guantanamo është nga janari i vitit 2002 e sipas thënieve të Wikileaksit e të New York Times, Rahabi ka qenë roje e ish-liderit të Al Kaidës Osama bin Laden me të cilin ka pasur lidhje familjare.
Medie të tjera amerikane shkruajnë se ai ka qenë roje e Bin Ladenit, por kjo nuk është konfirmuar kurrë, njofton aljazeera.net.
“SHBA –ja falënderon Qeverinë e Malit të Zi për gatishmërinë që të përkrahë përpjekjet e SHBA-së për të mbyllur objektin e burgut Guantanamo”, thuhet në kumtesën e Pentagonit .

Qeveria e Malit të Zi ka kumtuar se ky shtet ka “marrë përgjegjësinë për risocializim të një të burgosuri dhe kthimin e tij te familja”.

“Fjala është, sikur dhe në rastin e parë të janarit të këtij viti, për shtetasin jemenas i cili disa vite ka qëndruar në Guantanamo dhe i cili, sikur dhe personi parë i strehuar sipas këtij programi, sipas vlerësimeve të shërbimeve të sigurisë amerikane e malazeze, nuk paraqet rrezik për shtetin dhe për qytetarët e Malit të Zi.”
Jemenasi ka kërkuar azil, por sipas ligjit nuk është e mundur të merren informacione të tjera.

Me strehimin e këtij jemenasi, Mali i Zi ka përmbushur kuotën që e ka paraparë.
Në këtë program marrin pjesë më shumë se 50 shtete, nga të cilat janë B e H, Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Portugalia, Gjermania, Belgjika, Danimarka, Zvicra, Italia, Rusia, Letonia, Estonia, Hungaria dhe Sllovakia.
Në Guantanamo, pas ndërhyrjes amerikane në Afganistan në vitin 2001, kanë qëndruar 780 të burgosur.