Biletat e avionit, ja sa të shtrenjta janë në Shqipëri në raport me Shkupin e Podgoricen

July 27, 2016   | Shtypi / Mediji

Tirana-airShqipëria është vendi i parë në rajon e ndoshta edhe në Europë për çmimet më të larta të udhëtimit me avion. Problematika me çmimet e udhëtimit në fakt nuk është e re për vendin tonë, por rritja gjithnjë e më shumë veçanërisht gjatë periudhave të fluksit (në pushimet verore apo ato dimërore), është kthyer në një shqetësim sezonal, ndaj të cilit nuk po merret asnjë masë nga autoritetet përgjegjëse. Ndërsa ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto zgjati me 2 vite afatin e kontratës së TIA, ky i fundit i cili është blerë tashmë nga kinezët, na e shpërbleu me këtë situatë; për të njëjtin destinacion, çmimet e biletave të avionit llogariten rreth 2-3 herë më të larta në Shqipëri krahasuar me vendet e tjera të rajonit, siç mund të jenë Mali i Zi, Maqedonia, etj. Nisur nga kjo, qytetarët shqiptarë kanë nisur prej disa muajsh t’i drejtohen aeroporteve të shtetit maqedon, duke braktisur aeroportin e Rinasit. Për ministrin Haxhinasto, çmimet e udhëtimit do të pësonin ulje me zgjatjen e kontratës pasi kjo do hapte në perspektivë aeroportin e Kukësit, nga ku do të nisnin dhe fluturimet low cost. Por mesa duket, aeroporti i Kukësit nuk do të hapet për shumë vite, ndërsa aeroporti i Rinasit do të vijojë të rrisë çmimet nga viti në vit, derisa Haxhinasto as që tenton të ndërmarrë ndonjë masë ndaj këtyre abuzimeve.

Udhëtimi drejt Europës 

Të udhëtosh me avion nga Shqipëria drejt Europës, të kushton jo vetëm shumë më shtrenjtë se nga Maqedonia, apo Mali i Zi, por edhe alternativat janë më të pakta. Nisur nga një krahasim i biletave vajtje- ardhje për disa destinacione kryesore për datat 11-15 shtator (ose rreth këtyre datave), duke marrë variantet më të lira të biletës, të rezervuara në faqet përkatëse të internetit të kompanive ajrore (pa bagazh dhe opsione të tjera shtesë), konstatohet se çmimet në Shqipëri janë një skandal i vërtetë krahasuar me vendet e rajonit. Nga Shqipëria drejt Europës, biletat janë minimalisht 50% më të shtrenjta, edhe kur bëhet fjalë për të njëjtët operatorë, psh me Austrian Airlines. Në destinacionet që në aeroportet e Shkupit e Podgoricës operohen nga kompani loë cost, si Milano, Venecia, Londra, qytetet e Gjermanisë, çmimet nga Rinasi janë disa fish më të shtrenjta. Sidomos në Maqedoni, biletat janë të lira për disa arsye. Në të ka operatorë low cost si Wizz Air; shteti subvencionon kompanitë; dhe taksat aeroportuale janë më të lira se në Shqipëri. Nga Shkupi psh mund të gjesh biletë vajtje-ardhje edhe më pak se 100 euro për disa destinacione (65 euro në Milano e Bruksel, Berlin 70 euro, apo 85 euro në Paris e Venecia), ndërsa në Shqipëri tarifa minimale për një biletë tashmë është mbi 150 euro nga operatorët loë cost (Blue Panorama) dhe mbi 250 euro nga operatorët e tjerë, Al Italia, Austrian Airlines, Lufthansa, që ofrojnë pjesën më të madhe të destinacioneve.

Në Podgoricë veprojnë dy operatorët low cost, Ryan Air dhe Easy Jet, nga të cilët mund të gjesh alternativa të lira, sidomos për kthimin nga Londra (më pak se 50 euro).

Udhëtimi drejt Vjenës 

Nëse kërkoni të rezervoni bileta për në Vjenë, vajtje-ardhje, rreth datave 11-15 shtator, me Austrian Airlines, nga Tirana nuk do të mund të gjeni biletë më të lirë se 250 euro, në varësi të orareve (pa bagazh). Nga Shkupi, po me Austrian Airlines mund të rezervohet biletë vajtje- ardhje me 160 euro. Nga Podgorica për të njëjtin destinacion, opsioni më i lirë është 170 euro. Nga Prishtina me Austrian Arlines, çmimet janë të krahasueshme me Tiranën, mbi 240 euro.

Udhëtimi për në Londër

Nga Tirana direkt me British Airways bileta kushton 521 euro (vajtje- ardhje në datat 11 dhe 16 shtator) për në aeroportin e Gatëick. Me Austrian Airlines, përmes Vjenës bileta shkon 400-440 euro. Me Wizz Air për në Londër (aeroporti Luton) nga Shkupi të kushton 170 euro (10,498 dinarë maqedonas). Nga Tivari i Malit të Zi për në Londër (Gatwick), me kombinim datash bileta është 186-241 euro, përmes operatorit loë cost Easy Jet. Nëse vetëm do të kthehesh nga Londra, mund të gjesh biletë kthimi për në Tivar edhe me 41 euro. Po nga Mali i Zi, përmes Podgoricës, me Ryan Air, bileta për në Londër (Stanset) kushton 266 euro.

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/