Ndalohet puna sërish në ndërtimin e shkollës në Sukubinë
Kompania “Artek” nga Podgorica, e cila po kryen punimet në ndërtimin e shkollës për arsim fillor në Sukubinë, ka deklaruar se ishte e detyruar të çojë dorë nga kjo punë në afat të pacaktuar, raporton portali Ul.info.
Siç thuhet në letrën e dërguar në fillim të kësaj jave Komunës së Ulqinit, arsyeja pse ndërmorën një hap të tillë janë detyrimet e pashlyera nga ana e vetëqeverisjes lokale ndaj kësaj kompani.
Nga “Artek” pohojnë se Komuna, si porositës i punimeve, me kontratë ishte e detyruar që deri më 9 mars t’i paguajë kësaj kompanie rreth 78 mijë euro, e deri më 17 qershor janë paguar vetëm 47 ijë euro.
Për këtë arsye shtohet që punimet në këtë objekt nuk do të përfundojnë në kohën e planifikuar.
Gjatë nënshkrimit të kontratës është thënë se ky objekt do të pranojë nxënësit e parë nga viti shkollor 2016/2017. Po ashtu është theksuar se vlera totale e punime ishte është rreth 300 mijë euro, si dhe që bashkërisht do t’i financojë Qeveria e Malit të Zi, Komuna e Ulqinit dhe diaspora e SHBA-së.





