“Kalimera poetike” mbledh poetët nga të gjitha trevat shqiptare në Ulqin

August 6, 2016   | Ngjarjet - Events
Kalimera-Poetike-Ulqin-2016Për 3 netë me radhë në Muzeun e Kalasë së Ulqinit është zhvilluar Manifestimi i përvitshëm letrar “Kalimera Poetike 2016” e organizuar nga Shoqata Kulturore “Art-Club Ulqini” që prej 25 vjetësh nga themelimi i saj. Kësaj radhe 3 poetët mysafirë ishin Flutura Acka, Ag Apolloni dhe shkrimtari Enes Halilovic.

Fjalën përshëndetëse e mbajti Kryetari i “Art-Club Ulqini”, Ismet Kallaba, redaktor në periodiken e shqiptarëve në Mal të Zi “Koha Javore” si dhe pedagog në Fakultetin e Gazetarisë dhe Komunikimit panë Universitetit të Shkodrës Luigj Gurakuqi.

Në vijim, nën moderimin e shkrimtarit dhe publicistit Hajredin Kovaci u zhvillua mbrëmja autoriale e Flutura Ackës ndërkohë që për krijimtarinë e kësaj të fundit foli Liridona Sinishtaj.

Nata e dytë nisi me celjen e ekspozitës fotografike të piktorit ulqinak Qazim Muja në ambjentet e Kullës së Balshajve, përbri muzeut të kalasë së Ulqinit.
Në vijim, pjesëmarrësit patën rastin që të ndiqnin mbrëmjen autoriale për shkrimtarin Ag Apolloni për të cilin foli Dr. Albulena Blakaj – Gashi, studiuese e letërsisë dhe me moderator Mr. Haxhi Shabani.

Nata e 3-të dhe e fundit iu kushtua mbrëmjes autoriale të shkrimtarit boshnjak Enes halilovic, për krijimtarinë e të cilit foli gazetari dhe publicist Vlatko Dimunovic nën moderimin e Andrej Nikolaidis.

Ndërsa paraditen e fundit të qëndrimit në Ulqin, shkrimtarët dhe poetët mysafirë të ftuar në Kalimera Poetike 2016, u pritën edhe nga Kryetari I Komunës së Ulqnit Nazif Cungu.

“Art Club Ulqini” është themeluar në vitin 1990 nga një grup krijuesish dhe intelektualësh nga ky qytet bregdetar me qëllim promovimin e kulturës, artit, letërsisë dhe shkencës shqiptare ë Mal të Zi si dhe kultivimit dhe zhvillimit të multikulturës si një vlerë e veçantë për Malin e Zi, rajonin dhe më gjerë.

“Art Club” është bashkëthemelues i Panairit të Librit në Ulqin dhe organizator i manifestimeve tradicionale ”Kalimera Poetike” (“Calimera Art Festival”) dhe “Ditët e filmit shqiptar”.

Drejtues ndër vite të Shoqatës Kulturore “Art-Club Ulqinit” kanë qenë shkrimtarët, artistët dhe publicistët e njohur Ibrahim Beriashi, Nail Draga, Ali Salaj, Haxhi Shabani, Qazim Muja e deri tek publicist dhe pedagogu i gazetarisë Ismet Kallaba i cili e mori drejtimin vetëm para disa muajsh në bazë të statutit ku respektohet afati I mandateve për secilin drejtues si dhe kontributet e gjithsecilit prej tyre.

Redaksia Online
(M.Ç/shqiptarja.com)