Gjonaj: Vit të mbarë , o ju shkollarë

September 1, 2016   | Shoqëria / Društvo

dita e pare e shkollesGjekë Gjonaj

Sot  të gjitha institucionet e arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm, sikurse të gjitha institucionet simotra në Malin e Zi ,  në Komunën e Ulqinit kanë çelur dyert e tyre për të nisur  vitin e ri shkollor 2016/2017 . Drejtuesit e këtyre institucioneve kohën e pushimeve verore e  shfrytëzuan   për përgatitjet e fundit të të gjitha objekteve arsimore. Sipas tyre çdo gjë është gati  për një fillim   të mbarë të  këtij viti shkollor dhe se ky vit starton me kushte më të mira për nxënësit e shkollave. Shumica e investimeve të realizuara në shkollat e këtushme  janë bërë nga buxheti republikan, por edhe nga donacione tjera.

Ky vit,  i cili shënon një fillim tjetër të ri në rrugëtimin e shkollarëve të rinj drejt diturisë dhe ndërtimit të një të ardhmeje të sigurt dhe të bukur,  do të jetë i veçantë  veçmas për afro 250  vogëlushë që ulen për herë të parë në bankat e shkollës që nisën garën e dijes.  Ata me fytyra të ndrojtura do të rrinë në heshtje, ashtu të kapur dorë për dore me prindërit apo me gjyshërit. Dhe pas pak minutash  çdo gjë do të ndryshojë. Ata do të shkëputen pa u ndjerë nga kjo lidhje dhe do të vrapojnë  drejt tavolinës ku, për secilin prej tyre, do t’u shpërndahen falas   tekstet shkollore. Sytë e tyre do të fillojnë të shkëlqejnë nga gëzimi dhe me kuriozitet do të  shfletojnë faqet e para. Për dikë do të jenë të njohura ato shkronja, për dikë tjetër ndoshta aspak.  Për ata kjo është një jetë të re, jeta shkollore në klasën e parë  me garancinë se rruga e dijes do të jetë e sigurt, do të jetë çdo ditë e më shumë e përafruar me atë  të bashkëmoshatarëve të tyre në çdo vend të përparuar të botës.

Qindra nxënës ( djemë e vajza)  të tjerë do të   jenë në kopshte, në arsimin bazë ( fillor) dhe në arsimin e mesëm. E ardhmja  është pikërisht në duart e tyre. Ne duhet dhe  do të jemi gjithmonë afër tyre, që së bashku të realizojmë synimin për cilësi. Ministria e Arsimit duhet të krijojë mundësi të reja për përgatitjen e tyre  që të jenë sa më kompetent në punën e tyre.

Shumica e librave janë blerë nga prindërit dhe  sot do t’i kenë me vete nxënësit. Kjo është arritje e mirë, sepse marrja e librit nuk është vetëm thjeshtë pajisja e fëmijës me mjetin didaktik dhe me librin, që është shumë i rëndësishëm për dijen që nga ai do të marrin, por është një përafrim tjetër që duhet bërë rolit të prindërit,si një nga tre elementet kryesor të zhvillimit  të arsimit, për të kuptuar që prindëri luan një rol shumë të rëndësishëm  në të gjithë procesin e mësimdhënies dhe edukimit në sitemin e arsimit. Dhe duke shkuar në shkollë, duke  u njohur me librat realizojnë atë raport që hera – herës ndihet i munguar.  Shekulli i ri kërkon edhe më shumë angazhim dhe përkushtim në përgatitjen e  nxënësve.

Lajm i mirë dhe i gëzuar për prindërit e  nxënësve të    klasëve të para  këtë vit  për herë të parë vjen nga  Komuna e Ulqinit. Ajo ,  siç ka kumtuar kryetari i saj Nazif Cungu, do të financojë   kompletet e librave për  të gjithë nxënësit e klasëve të para  me mësim në gjuhën shqipe dhe malazeze. Sipas njoftimit të kreut të komunës ndarja e librave do të bëhet ditën e parë të  shkollës.

Edhe unë si ish mësimdhënës ndaj me të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollave   kënaqësinë e madhe dhe emocionet e ditës së parë të shkollës.   Vit të mbarë shkollor , o ju shkollarë. Shëndet, mbarësi, suksese për të gjithë ju  dhe familjet e taja! Qoftë një vit i bukur shkollor!

Një filiozof , emri i të cilit nuk po më kujtohhet,  ka thënë: Një shtet që ka një shkollë të fortë, pretendon për t’u bërë një shtet i fortë” Të mësojmë, pra, që të  bëjmë një shkollë të fortë,  që të kemi një Atdhe të fortë!