Shpërthen ish-zv.ambasadori i Malit të Zi në Tiranë Met Gjoni: Ja fajtori i disfatës së shqiptarëve

October 20, 2016   | Reportazh / Reportaža

Met-GjoniPas zgjedhjeve të Malit të Zi, ku shqiptarët përfunduan vetëm me një deputet në parlament, mes klasës politike ka nisur kërkimi i llogarisë dhe gjetja e fajtorëve.

Zona e banuar nga shqiptarë në Mal të Zi është ndarë me pjesën e Ulqinit dhe Anës së Malit, në një anë, dhe me Malësinë e Madhe, nga ana tjetër, që edhe organizimin politik e kanë gati krahinor pas rënies së UDSH-së.

Met Gjoni, nënkryetar i Komunës së Ulqinit dhe drejtues i njërës prej forcave politike që ka siguruar deputetin aktual në parlamentin malazez, akuzon ashpër në media Mehmet Bardhin, kreun e Lidhjes Demokratike Shqiptare, i cili kryesisht merr vota në Tuz.

Gjoni, i cili për disa vite ka qenë edhe zëvendësambasador i Malit të Zi në Tiranë, thekson: “Edhe kësaj radhe Bardhi ngadhënjeu me kokëfortësinë e tij  dhe e la Malësinë anash, thuajse nuk ishte pjesë e subjektit që ai kryeson (torturon).

Përgjegjësia këtu bie edhe mbi koalicionin shqiptar ‘Me një qëllim’,  që pa asnjë arsye e la Malësinë të garojë e vetme.

Kjo është e pafalshme. Pra, këtu qëndron shkaku kryesor i dështimit të subjekteve politike shqiptare në këto zgjedhje. Shkaktarëve të këtyre dukurive duhet më në fund t’u thuhet troç se me veprime të tilla vjen deri te hutimi në elektorat, i cili me këso sjelljesh të subjekteve politike është ngopur.”

Ja ç’thotë Gjoni në një intervistë për të përjavshmen Koha Javore, pjesë të së cilës po publikojmë më poshtë:

”Heqja e njësisë së veçantë zgjedhore për shqiptarët në Mal të Zi ishte fillimi i margjinalizimit të shqiptarëve në përfaqësimin parlamentar në Mal të Zi. Kjo është më se e qartë, dhe ligji aktual zgjedhor është diskriminues, sepse në vend që të favorizojë pakicën autoktone shqiptare, ai i diskriminoi deri në fund. Për ndërrimin e këtij ligji duhet të punojmë seriozisht të gjithë.

Por a thua se diçka tjetër kësaj radhe ishte shkaku i humbjes së një mandati në këto zgjedhje. Duhet thënë qartë se shkaku ishte, si dhe në zgjedhjet e 1992-shit, kryetari i LD-së në Mal të Zi, z. Mehmet Bardhi. Edhe kësaj radhe, si dhe herët e tjera, ishte e qartë se shqiptarët nuk do të garonin në një kolonë. Por edhe gara në dy kolona garantonte fitimin e dy mandateve në parlamentin e Malit të Zi. Koalicioni shqiptar, me sloganin ‘Me një qëllim’, në përbërje të së cilit ishte edhe LD në Mal të Zi, me siguri që do të merrte një mandat po qe se kryetari i saj do ta lejonte kandidatin e z. Nikolë Camaj para këtij subjekti, duke e ditur se ai ishte i vetmi autoritet që siguronte vota në Malësi, Plavë, Guci e Rozhajë, sepse degët e këtij subjekti ne Ulqin, Anë të Malit e Krajë, kishin shumë më pak përkrahje. Edhe ne në koalicion e dinim të gjithë këtë, dhe u insistua në këtë, por për z. Bardhi kjo ishte e papranueshme. Bile brenda koalicionit shqiptar u dakorduam që z. Camaj të pozicionohej në vend të dytë, por më kot. Bardhi ishte këmbëngulës që mos të lejonte një gjë të tillë, pavarësisht pasojave që mund të shkaktonte.” /tesheshi.com/