U përurua libri “Žena pomorca” i shkrimtarit Asllan Bisha

November 30, 2016   | Lajmet / Vijesti, Ngjarjet - Events

Zena pomorca i shkrimtarit Asllan Bisha-UlqinNë Shkollën fillore “Boshko Strugar” sot (të mërkurën) u përurua libri “Žena pomorca“ i shkrimtarit Asllan Bisha, i botuar pak kohë më parë nga Shoqata e Artistëve dhe Intelektualëve „Art Club“.

Vetë shkrimtari ka zgjedhur për të bërë përurimin e këtij libri në shkollën ku ka punuar si mësimdhënës pjesën më të madhe të jetës së tij.

Përurimi është konceptuar si një takim i nxënësve me shkrimtarin. Një paraqitje të shkurtër mbi veprimtarinë e Bishës e ka bërë mësimdhënësja e gjuhës malazeze, Lisenka Marseniq, ndërsa më pas nxënëset Tea Paviqeviq dhe Lisa Nimanbegu kanë lexuar në gjuhën shqipe dhe gjuhën malazeze fragmente nga libri „Nusja e detarit“ („Žena pomorca“).

Në vazhdim autori Asllan Bisha është përgjigjur në pyetjet e shumta të nxënësve, të cilët kanë shfaqur interesim për krijimtarinë e tij.

Në emër të Shoqatës së Artistëve dhe Intelektualëve “Art Club”, nxënësit dhe mësimdhënësit e pranishëm i ka përshëndetur kryetari i saj, Ismet Kallaba.

Me këtë rast, SHAI “Art Club” i dhuroi një kontigjent të librave nga koleksioni i botimeve të saj Shkollës fillore “Boshko Strugar” në Ulqin, si pjesë e aksionit për pasurimin e fondit të bibliotekave të shkollave në gjuhën shqipe në Mal të Zi.

Përurimi i librit u organizua nga SHAI “Art Club” në bashkëpunim me Shkollën fillore “Boshko Strugar”, gjegjësisht seksionet letrare të kësaj shkolle, të udhëhequra nga mësimdhënëset Aishe Resulbegu dhe Lisenka Marseniq.

 

 

    Ulqin, më 30. 11. 2016                                                                       SHAI “Art Club”