Shqiptarët frekuentuesit kryesor të pistave të bardha të Kolashinit

January 23, 2017   | Shtypi / Mediji

Shqiptarët frekuentuesit e KolashinitGjekë Gjonaj

Në mes shumë alternativave për të kaluar një fundjavë, që nga ajo e të qëndruarit në shtëpi e deri tek udhëtimet jashtë  Ulqinit, ne zgjodhëm skitë në Kolashin.Të bëshë ski është një fëmijëri e dytë. Këtë e dinë ata që e duan këtë sport të bukur e të lodhshëm bashkë me  bukuritë e tjera magjepse që të ofron  stina e dimrit. Dhe në të vërtetë,  të gjithë ata që ushtrojnë skitë në thelb përjetojnë në mënyrë të përsëritur një aventurë fëminore krejt të veçantë teksa rrëshqasin të lirë në dëborë.

Qendra e skive është 1450 metra  mbi nivelin e detit, 16.5 km e gjatë dhe ndodhet vetëm 15 minuta  larg nga qendra e qytetit. Pista e shkëlqyer e skive, shetitjet me teleferik, panorama madhështore e  malit Bjellasica dhe e  parkut ndërkombëtar , pa harruar edhe motorët e borës e bëjnë edhe më të bukur këtë vend  Në shpatet e malit Bjellasica ekzistojnë mundësitë e shkëlqyera për skijim.Gjatësia totale e shtigjeve  të skijimit është rreth 15 kilometra, ndërsa gjatësia kryesore e shtigjeve është 4.5 km. Në qendër të sikijimit ndodhen një teleferikë dy vendesh dhe gjashtë vendesh dhe tre ski lifta. Edhe skijimi në orët e vona të  natës është në dispozicion.

Ajo çka kam vënë re   me kënaqësi edhe sivjet në Kolashin ishte shtimi i vizitorëve nga Shqipëria- sidomos i të rinjve. Ndodheshin aty, të organizuar me grupe me operatorë turistikë ose familjarë.Qindra shqiptarë  takuam  të dielën që lamë pas në  këtë qendër të njohur të skijimit edhe jashtë kufijve të Malit të Zi. Po ashtu edhe nëpër resorante,  kafene,  hotele, motele , strehime private,  e rrugë. Kudo  dëgjon të flitet shqip.Madje shqipen kanë filluar ta mësojnë edhe vendorët. Habitesh   me sa pak komplekse ata kanë filluar ta flasin gjuhën  tonë për të cilën shprehen se është gjuhë e vështirë. Ke përshtypjen se ndodhesh në ndonjërën prej qëndrave   shqiptare. Shqiptarët këtu tashmë janë mysafirët kryesorë  gjatë stinës së dimrit.Ata thonë se ndjehen mirë dhe të respektuar nga popullata vendase dhe mysafirët e tjerë  sllavë dhe të huaj nga shtete të ndryshme të Europës.  Shumica e skitorëve shqiptarë  kanë kostumet dhe skitë e veta. Të tjerët  paisjet  i marrin me qera.

Shqiptarët , për dallim nga  vizitorët e tjerë të huaj, aventurës së skive  i hyjnë me forca të veta pavarësisht a e njohin skijimin apo jo, dhe jo nëpërmjet udhëzimeve të intsruktorëve të skijimit.  Ata   veçohen edhe për shpenzime të mëdha . Nuk kursejnë as në akomnodim, as në ushqim , as në pije, as në dëfrim . Për ta është e rëndësishme vetëm t’ia bëjnë qejfin vetes dhe familjes. Me një fjalë të kënaqen në kuptimin e plotë të fjalës.

Në mesditë kur po diskutonim në restorantin “ Jezerina” me një grup skitorësh dhe snowboard-istësh të pasionuar pas bjeshkës  nga Shkodra e Tirana për përshtypjet tona për mrekullitë e pistave të Kolashinit  deklaruan: “Gjatë disa ditëve të qëndrimit tonë këtu u mahnitëm  nga mundësia  për të skijuar gjithë ditën,në një mal kaq të bukur siç është Jezerina e Bjelasica pasi  derisa kemi filluar të vijmë këtu ishim mësuar t’i mbanim skitë në krah për të rrëshqitur ndonjë qindësh metër “ pistë” në Dardhë, Voskopojë e  Dajt”.

Një ndër ta ishte edhe Ardiani  nga Tirana, me familjen e tij, i cili ndodhej në Kolashin për të 6-tin vit radhazi. Ndërsa më pas takuam edhe një tjetër grup të ardhur përmes agjencive turistike. “Zgjedhim Kolashinin, pasi është më afër me Tiranën dhe na ofron qendra skish, të cilat nuk i gjejmë dot në Shqipëri edhe pse natyra na e ka dhënë mundësinë”, thotë Ardiani

Kolashini , apo Shën Nikolla siç quhej dikur ky qytet shqiptarësh,  gjatë stinës së dimrit përveç kushteve ideale për skijim , të ofron edhe akomodim cilësor në Hotelin “ Bjanka” dhe “ Four-points by-Sheraton”  shumë të shtrenjtë për xhepat e qytetarëve tonë, në apartamente luksoze të ndërtuara në sistemin alpin   dhe ushqim tradicional tepër të shijshëm  me bazë mishi e specialitetesh malore, shoqëruar me raki shtëpiake,  e ujë të akulltë  e të lehtë të   malit të Bjellasicës , të cilin mund ta pini sa të doni pa e ndier fytin. Si përfundim , nëse kërkoni një fundjavë të rehatshme në dëborë me të gjitha kushtet që një resort  duhet të ofrojë atëherë  Kolashini bën për ju.