Filipaj: Me u rritë në jug

January 25, 2017   | Lajmet / Vijesti, Shoqëria / Društvo

Me u rritë në jug - UlqiniGjergj Anton Filipaj Facebook

Koha atje ishte e ngadaltë, dhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë e ngadaltë. Nuk kishte rȃndësi cilësia e internetit – cilado qoftë ajo, 4G a 56, e lloji i telefonit të mençur, çonte edhe mȃ pak peshë. Sado që mundohej m’ i dhȃnë zor m’e shpejtue, dita vazhdonte me qenë e ngadaltë, duke mos ia kënaqë atë nevojën për një 24 orësh të mbushun me adrenalinë. Thjesht, trupi s’i ishte mësua me gjendje të tillë qetësie.

E kjo ishte njëfarë pasoje që gazetaria ia kishte falur kohë më parë. Donte gjithmonë të bënte diçka, madje edhe aty ku nuk kishte asgjë për të bërë. “Po çka po më shkon edhe mua në mend….phaaaa”, tha me vete duke pritur të bȃhej ora 6 pasdite, kur edhe e kishte lȃnë m’u takue me nji shok të fëmijërisë, me të cilin do të shkonte të luante futboll në një fushë të quajtur Balon sala. “Emër i fortë që ç’ke me të.” Ky mendim i kaloi nëpër mendje teksa me cinizmin e zakonshëm qeshej në vete me disa pjesë të dialektit të shqiptarëve në skajin jugor të republikës së vogël, e cila, për nga emri ta len përshtypjen se bȃhet fjalë për ndonjë vend të Afrikës Qendrore. “Ku je bac a mun u çove…a ke pushu sot se kena m’u lodhë tyj lujt fudball…poshtë jam mas u vono.”, Ky mesazh ngacmues i Bekim Ç. i doli në ekranin e telefonit. Iu deshën diku 15 vite që të fillonte ta pasuronte fjalorin me kosovarizma.

Vazhdimisht i rezistonte gjuhës duke e mundu me e ruajt t’folmen e shqiptarëve të Malit të Zi, por, sa herë që shkonte në vendlindje, goja i ikte, duke nxjerrë fjalë me theks prej prishtinaliet i dalun nga Llapi. Me një vrap e dyqind frymë, u lëshua si fishek teposhtëzës. Aty, nga fundi i rrugës, filloi shiu i lehtë që po ia lagte fytyrë. “Shyqyr që ka ardhë Zhuja me makinë”, qe mendimi i radhës që duket se e gëzoi atë. Nuk iu deshën shumë minuta që me Golf 5-shin e Bekim Ç. të mbërrinin te fusha e topit. Atje u takua edhe me disa miq të tjerë të fëmijërisë dhe ca kushërinj të largët. Fytyrat ishin po ato, kurse shtesat ishin flokët, aty këtu të rënë, thinjat dhe normalisht, vëllimi i tepruar i barkut që jo pak lojtarëve ua kufizonte lëvizjet. Ndeshja filloi, por mendja e tij fluturoi në të kaluarën, dhe atë jetën e ngadaltë që e bënte si gjimnazist në Ulqin.

Iu kujtuan të shtunat përtace kur ditën e niste me mëngjesin e përgatitur nga i j’ati, të përcjellë me leksionet e tij mbi atë sesi duhet ngrohë fort karrigen për të arritur diçka në jetë, m’e krijua atë mundësinë e ikjes nga njëtrajtshmëria e ngadaltë e Ulqinit pothuajse hibernues gjatë muajve të vjeshtës, dimrit, pranverës. Jo rrallëherë, kur dimrit në Prishtinë ndonjë të shtune dilte papritmas dielli, i kujtoheshin të shtunat e Ulqinit. “He, kështu asht dimni në Ulqin, si kjo e shtune e lehtë me diell”, u thoshte ai Trimit dhe Bardhit gjatë seancave të pirjes së espressove aty tek Strip Depot, jo shumë larg kinemasë ABC në Prishtinë. “Sot ȃsht e shtunë, kah me shku n’kit ditë t’Zotit me diell” – jo pak të shtunëve e nxirrte veten para kësaj dileme.

Motra e tij binjake, zgjedhjen e kishte ma të lehtë. Ajo kishte vendosur të bȃhej farmaciste, pra matematika, kimia e fizika ishin nji lloj universi i saj të mbështjellën me dëshirën që jetën ta kalonte si shkencëtare. Kurse ky djali ende s’e dinte se në çka do ta shkrinte jetën. Dinte vetëm që i pëlqenin stripat, sporti, muzika dhe kohë pas kohe – edhe ndonjë hartim ia dilte ta përfundonte. Teksa luante top, i vinin si flash-a kujtimet e kohës kur shpeshherë me shokë e kalonte ditën duke bërë asgjë andej kah Plazhi i madh. E asgjëja transformohej në diçka kur dikush nga shoqëria fitonte dhuratë top ‘originall’ futbolli a basketi.

Në ato raste, destinacioni i fundit ishte fusha e sportit afër hotelit Lido, nga ku i largonte vetëm ardhja e muzgut deri në atë momentin kur topi mȃ nuk vërehej. “Hidhe ma topin se boll ke dribllat, kadal mos shutirat fort se na e çarte atë top” ishte fjali që dëgjohej shpesh mes të shameve me babë e nanë. Por, zbavitja më domethënëse për të dhe moshatarët e tij, veçmas dëgjimit të top listës muzikore në radio, përcjelljes së reklamave në TV Titograd, ishte edhe shikimi i spoteve muzikore në MTV – kanal ky që nga viti 1993 kishte nisur të transmetohej në frekuencën e dytë të televizionit shtetëror.

Dy orë muzikë, në ditë nga 12:00-14:00 ia kishin pasuruar shijen muzikore, duke e bërë një kalim nga folku patriotik shqiptar i Gëzim Nikës, Shkurte Fejzës, Nikollë Nikprelajt tek R’n’B, Rocku, Alternative si De la Soul, Run DMC, Bon Jovi, Red Hot Chilli Peppers, Nirvana- listë kjo pafund e shijeve dhe rrymave muzikore. Deri në njohjen me MTV-në, me ndonjë përjashtim të rrallë, kur ndonjëri fitonte ndonjë MC kasetë nga jashtë, muzika kryesore që ai konsumonte nëpër ekskursione, anembanë Malit të Zi, ishte záni kumbues plotë patriotizëm që këndonte për therjet në Kaçanik, xhamadanin vija-vija dhe dy nanát tona Kosovën e Shqipërinë. Të qenit gjimnazist në një qytezë të ngadaltë asesi nuk i jep jetës atë shpejtësinë e synuar – Need4Speed- do thoshn të varurit në adrenalinën që u ofron gara me makina të shpejta. Por, në jug – konkretisht në lagjen Gjerana nuk kishte asgjë të shpejtë, ma e shumta ndonjë shegë për t’u vjedhur, a ndonjë portokall për t’u nukë, sepse mandarinat haheshin të parat se qëroheshin ma lehtë.

Të shpejta në jug ishin vetëm emocionet që ndjehen kur mendja të thotë se jeta po shkon në drejtimin e duhur, për t’u bërë mȃ interesante gjatë atyre 10 muajve të mbetur të vitit. Shumë keq që ata dy muajt tjerë zgjasin fare pak, me pak fjalë ikin si mos qenë kurrë aty korriku dhe gushti. Janë aq të mirë këta dy muaj si akullorja Lisko, e cila shkrihet vetëm duke e shikuar. Kurse 10 muajt tjerë janë si ftoni i verdhë, i fortë e gati i pakapërcyeshëm që me zor të madh kalon nga ezofagu në lukth. Njësoj vazhdon me qenë edhe sot diku nja 20 vjet pasi që ai është larguar prej shtëpisë së babës Tonçi. Në fakt, gjithmonë ekzistonte kjo ngadalësi vetëm se kur njeriu asht ma mȃ i ri, jeta dinë me ecë kohë pas kohe pak ma shpejt.

Era që me hova të ndryshëm i puthë degët e mandarinave gati katërdhjetë vjeçar mbase tregon për kohën e kaluar, kur kalon shumë kohë edhe vërehet ndonjë ndryshim, por në thelb, dita në bregdetin jugor, vazhdon me qenë e ngadaltë. Loja mbaroi. Rezultati ishte i keq. Nuk ia arriti ta mbronte me sukses portën para sulmeve të kundërshtarëve. Por u gëzua kur me kundërshtarët u ulë tek café Paradisso për t’i kujtue momentet e tinejxherllëkut – gjatë kohës së shkollës së mesme, godina e së cilës ndodhej aty përballë ku vetëm disa pallma ia fshehin pamjen e vjetruar – e të ruajtur socialiste, ende me yllin e kuq pesërremash. Si në histori filmash, rastisi që edhe stacioni i autobusëve të jetë aty afër.

Mendja e tij kaloi nga 2015 në 1996 e largët kur në mesin e një tetori të lagësht dhe mjaft të ngadaltë, ai kishte marrë rrugën drejt Prishtinës, ku për ca muaj edhe studioi drejtësinë deri kur iu dha mundësia të merrej me shkrime në kryeqytetin shqiptar. Autobusët dhe shoferët ishin të njëjtit: të dytë kishin nevojë për remont, i vetmi ndryshim ishin targat që nga trengjyrëshe janë tkurrur në dy ngjyra. Ishte i emocionuar. Pas disa orëve, do të nisej me bus për në Prishtinë. Kësaj here nuk ishte me 18 vjeç, nuk nisej të studionte drejtësi, thjesht po largohej përsëri nga shtëpia e fëmijërisë për t’u rikthyer në shtëpinë e re atje diku në pyllin e egër të banesave në lagjen MAT1 të Prishtinës.

Gjergj Anton Filipaj Facebook