Muriqan – Sukubinë, drogë në autobusin e linjës Shqipëri-Itali

February 4, 2017   | Ngjarjet - Events

Muriqan - Sukubinë, drogë në autobusin e linjës Shqipëri-ItaliTentativa për të kaluar lëndë narkotike nga Shqipëria drejt Malit të Zi, e më pas destinacion Europën ka rezultuar e dështuar për një 52 vjeçar nga Lezha. Gjon Ndoi po udhetonte në autobusin e linjës Shqipëri – Itali, por poshtë sediljes së mjetit ai kishte fshehur një qese në të cilën gjendeshin 308.4 gram lëndë e dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva.

Gjithçka u zbulua pasi policia futi në kontroll mjetin në pikën e kalimit kufitar të Muriqanit, ndërsa kishte marrë më herët informacion në rrugë zyrtare për rastin ën fjalë. Edhe sjellja e shtetasit Ndoi sipas burimeve policore në momentin e kontrollit ngriti më shumë dyshime.

Pasi u gjet lënda narkotike ai u arrestua menjëherë nga efektivët e policisë, ndërsa autobusi me targë AA 723 OP nuk u lejua të vijojë udhëtimin por u shoqërua në komisariatin e policisë Shkoder. Ora news ju sjell pamjet e autobusit në mjediset e jashtme të komisariatit, aty ku ju nënshtrua një kontrolli të imtësishëm pasi dyshohej se edhe në vende të tjera mund të ishte fshehur lëndë narkotike. Në pyetje u morën pasagjerët, drejtuesi i mjetit dhe vetë 52 vjeçari.

Materialet proceduriale për rastin në fjalë do t’i referohen për veprime të mëtejshme, Prokurorisë të Krimeve të Rënda në Tiranë, për veprën penale: “Trafikimi i narkotikëve”. Brenda harkut kohor të 1 muaji, policia e kufirit dhe migracionit ka goditur disa raste të tentativave për kalim droge nga Shqipëria drejt Europes,nga pika kufitare e Muriqanit.

/Oranews.tv/