Otranti nga Ulqini mposht me lehtësi Kosovën U-19 më 3:2

February 11, 2017   | Sporti / Sport
Otrant-kosaova-U19-UlqinPërfaqësuesja U-19 në kuadër të grumbullimit pesë ditor në Ulqin, sot, ka zhvilluar ndeshjen e parë testuese kundër skuadrës ulqinake, Otranti, që bën gara në Ligën e Dytë të Malit të Zi dhe është një nga pretendentët kryesor për t’i inkuadruar në elitën e futbollit të këtij vendi.

Pas një ndeshje mjaft të fortë dhe rivalizuese fitores iu gëzua skuadra e Otrantit, me rezultat 3:2. Në skuadrën ulqinake u paraqitën edhe tre japonezë, derisa më i merituari për fitoren e tyre ishte futbollisti me përvojë Fatmir Mullabeqiri, i cili shënoi të tre golat. Djelmoshat tanë përkundër dallimit të konsiderueshëm në moshë u treguan si rivalë thuajse të barabartë të skuadrës ulqinake.

Madje, në minutën e 31-të Përfaqësuesja jonë kaloi në epërsi kur Rilind Nimani shënoi me gjuajtje me kokë pas harkimit të Lirim Kastratit nga këndorja, 0:1. Megjithatë, reagimi i ulqinakëve ishte i shpejtë, pasi dy minuta më vonë Fatmir Mullabeqiri shënoi me gjuajtje të fortë nga brendësia e zonës, 1:1.

Në minutën e 39-të Altrim Pajaziti pati mundësi për ta rikthyer epërsinë, por edhe pse depërtoi mirë në fund gjuajtja e tij nuk shkoi në rrjetë. Pjesën e dytë e nisi më mirë skuadra ulqinake, e cila pas vetëm katër minutash kaloi në epërsi me golin e Mullabeqirit nga gjuajtja e lirë, 2:1.

I njëjti futbollist në minutën e 60-të e shfrytëzoi gabimin e portierit Albion Berisha, i cili gaboi në pasimin e topit, duke ia mundësuar kundërshtarit të shënojë në portën e zbrazur, 3:1. As pas këtij goli djelmoshat tanë nuk u ndalën duke sulmuar pareshtur portën rivale dhe në minutën e 80-të arritën ta ngushtojnë epërsinë e vendasve, me golin e shënuar nga Ferat Syla, me kokë pas harkimit Ehat Gjokës nga këndorja. Pas këtij goli djelmoshat e Ramiz Krasniqit krijuan edhe disa raste tejet të mira, por mungoi efikasiteti në finalizim. Do theksuar se këtë ndeshje e përcollën nga afër edhe trajnerët e Përfaqësueses U-21, Erdogan Celina dhe Naser Prapashtica.

Infokusi