Jens Stoltenberg pret që Mali i Zi këtë vit të bëhet anëtar i NATO-s

February 13, 2017   | Ngjarjet - Events

Jens Stoltenberg pret që Mali i Zi te hyje ne NATOSekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi sot se pret që Mali i Zi këtë vit do të bëhet anëtari i 29-të i Aleancës dhe porositi se ardhmëria e Ballkanit është në familjen euroatlantike.

Stoltenberg në një intervistë për agjencinë Beta, të cilën e transmeton Zëri i Amerikës, e përshëndeti vendimin e Bordit të jashtëm-politik të Senatit amerikan për ta mbështetur anëtarësimin e Malit të Zi në NATO dhe theksoi se ai propozim ka “mbështetje të fuqishme nga dy partitë”.

Ai përkujtoi se ministrat e punëve të jashtme në maj të vitit të kaluar nënshkruan protokoll për anëtarësimin e Malit të Zi dhe se aleatët tani e ratifikojnë protokollin në pajtim me procedurat e tyre kombëtare.

“Njëzet e tre aleatë deri më tani e kanë ratifikuar protokollin, ndërsa në vendet e tjera kjo është në vijim. Presim që Malin e Zi këtë vit ta përshëndesim si anëtar të 29-të”, tha Stoltenberg.

Ai e theksoi përkushtimin e NATO-s për sigurinë e Ballkanit Perëndimor dhe deklaroi se Aleanca e “realizon pjesën e saj në ndërtimin e sigurisë rajonale me partnerët rajonal”.

“Disa vende të rajonit veç më kanë hyrë në aleancën tonë, ndërsa edhe disa të tjerë tentojnë drejt asaj”, tha Stoltenberg dhe përmendi se “NATO-ja ka zyrë nacionale në Sarajevë, Beograd dhe Shkup, qëllimi i të cilës është nxitje e dialogut dhe bashkëpunimit praktik”.

Stoltenberg tha se NATO-ja “tërësisht e mbështet dialogun midis Prishtinës dhe Beogradit dhe theksoi se ardhmëria e rajonit është në familjen euroatlantike, duke treguat në nevojën e uljes së tensionit të tanishëm të Ballkanit Perëndimor, që të shmangen incidentet dhe përleshjet”.

Ai sqaroi se NATO-ja dëshiron ta thellojë bashkëpunimin e saj me Serbinë, duke e respektuar neutralitetin e saj, si bashkëpunim  me Austrinë, Zvicrën dhe Suedinë.

TV21