ShBA-të ratifikojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO

March 29, 2017   | Ngjarjet - Events

Mali Zi-NATOPas kapërcimit të pengesës proceduriale, që kishte mbajtur peng votimin….

Pas kapërcimit të pengesës proceduriale, që kishte mbajtur peng votimin, Senati amerikan e mbështeti me një shumicë të qartë votash anëtarësimin e Malit të Zi në NATO, me shpresë se po dërgon në këtë mënyrë mesazhin që Shtetet e Bashkuara do t’i kundërvihen përpjekjeve të Rusisë për të shtuar ndikimin e saj në Europë.

Nisma tani pret firmën e presidentit, Donald Trump, si hap i fundit për ratifikimin e anëtarësimit nga ana e Amerikës.

Plot 97 senatorë votuan në favor të anëtarësimit të Malit të Zi, ndërsa dy ishin kundër. Ratifikimi kërkonte dy të tretat e votave të 100 anëtarëve të Senatit. “Kjo është më shumë sesa çështje e anëtarësimit apo jo të një kombi me 650 mijë banorë. Kjo është një provë në garën, në të cilën jemi përfshirë me presidentin rus, Vladimir Putin”,- tha senatori, John McCain.

Administrata e Trumpit e ka mbështetur anëtarësimin e vendit të vogël ballkanik, ndonëse gjatë fushatës për presidencialet e nëntorit ai u shfaq kritik ndaj anëtarëve të Aleancës ushtarake, me argumentin se kishin dështuar të paguanin detyrimet e tyre. Por, si president, ai tani premton mbështetje për NATO-n.

Zinxhirin e zhvillimeve që entuziazmojnë Podgoricën e nisi sekretari i Shtetit, Rex Tillerson, me letrën e dërguar Senatit më herët gjatë muajit, ku i kërkonte miratimin e traktatit para takimit të lartë të NATO-s në muajin maj, në të cilin do të marrin pjesë presidentët dhe kryeministrat e vendeve anëtare.

Radio E Maqedonisë 1