Prishet koalicioni PDK-LDK, zgjedhjet me 11 qershor

April 30, 2017   | Ngjarjet - Events

Koalicionit PDK-LDK, po i vije fundi. Gazeta NewBorn nga burime të konfirmuara brenda strukturave të larta të PDK-së, mëson se kjo parti do ta prish koalicionin me LDK-në e Isa Mustafës në javën e parë të muajit që po vjen.

Ky burim thotë për Gazetën NewBorn, se koalicioni do të prishet një ditë pas vizitës së zëvendësndihmësekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Yee, në ditën kur edhe do të procedohet demarkacioni.

Koalicioni PDK-LDK, me inicativën e kryevministrit Isa Mustafa, do ta procedojë për votim në Kuvendin e Kosovës, Marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, pas vizitës së Hoyt Yee.

”Java që vjen më së largu e hëna ose e marta e javës së dytë të majit do të jetë dita e fundit e këtij koalicioni. PDK-ja është e gatshme për zgjedhje dhe poashtu jemi të gatshëm për ta votuar edhe demarkacionin, por nuk jemi të interesuar që të bëjmë lojna me këtë marrëveshje. Qytetarët duan zgjidhje të këtyre cështjeve dhe nuk duan zgjatje të kohës për to”, tha ky burim në kushte anonimiteti për Gazeta NewBorn.

Ky burim për herë të parë e ka dhënë një datë të re e cila shihet si mundësi që të jetë dita e zgjedhjeve.

”Koalicioni ka pasur të prishet më parë, javën që po e lëm pas, por vizita e Mustafës në Bruksel e shtyu atë. I japem edhe një mundësi që nuk pati sukses. Shtyrja e prishjes së koalicionit ka shtyrë edhe datën e zgjedhjeve. Dita më adekuate dhe më e mirë për ti mbajtur ato po shihet të jetë 11 qershori, datë kjo e cila po flitet shumë në PDK”, u shpreh tutje ky burim për Gazeta NewBorn.

Ndryshe nga kjo LDK-ja, po heziton ta dërgoj demarkacionin në Kuvend pa i siguruar votat për votim.

Gazeta NewBorn