Gjonlekaj: Letër ngushllimi per vdekjen e Gjelosh Nikes Gegaj

May 3, 2017   | Ngjarjet - Events

Nga: Gjekë Gjonlekaj

Shumë e pikëlluamja familja e Nikë Lekë Marashit Gegaj, të nderuar klerikë, zonja dhe zotënji.

Jeni mbledhë sot për ti dhanë lamtumirën e fundit Gjelosh Nikës Gegaj, i cili jetoi me nder e respekt  për ma shumë se 70-vjet. Largimi i Gjelosh Nikes nga kjo jetë asht humbje e madhe për familjen dhe  shoqënine e tij. Të parët e tij dhe te parët e mij ishin kojshi dhe shumë të dashtun.Shtëpia e Gjekë Lekës dhe e Nikë Lekës ishte oxhak i përmendun në Triesh dhe ne tanë Malësi. Ishte familje e njoftun  për fe e atdhe. Ata jetuan  me nder e faqe të bardhë kudo u shkeli kama e tyne, bile edhe në bashkësi të ndryshme etnike dhe fetare siç ishin Fudnat. Edhe pse jam largua nga Trieshi tash 55-vjet i kujtoj shumë herë prindët e të ndjerit–Niken e Terezën. E kujtoj qëndresën e tyne të mrekullueshme për vdekjen e djalit,  Prelë Nikës në moshë tepër të re, para pothuajse nji gjysmë shekulli. Ajo vdekje e parakohshme kishte trondit Trieshin në përgjithësi dhe familjen në veçanti.

Nga përjetimet personale dhe lidhjet e ngushta familjare në Triesh ruaj kujtime të shkelqyeshme për familjen e Nikë Lekës dhe te Gjekë Lekës. Mbaj mend si fëmij që shtëpia e tyne ishte si shtëpia ime. Kjo derë bujare ishte gjithëmonë e hapun, sidomos për miqë e dashamirë. Në lidhjet tona shekullore kishte shumë miqësi, kumari e dashni. Baba i Gjeloshit–Nikë Lekë Marashi ishte trim, fisnik e besnik. Kështu ishin edhe djemtë e tij: Luca,Prela,Tomi,Kola,Gjeloshi dhe djali ma i vogël Prëtash Nika. Edhe bijat e tyne u përmëndën gjithëmonë për të mirë në Triesh dhe në  Malësi. Largimi i tyne nga vendlindja ishte humbje e madhe për Trieshin dhe për tanë Malësinë. Si shumica e malësorëve edhe kjo familje u vendos në Amerike ku jeton tash gati nji gjys shekulli, me nder e dinjitet.

Vëllazënia Gegaj ishte shumë e permendun për trimëni, për bujari dhe për urti. Kjo vëllazëni ka dhanë trima të përmendun. Sot e kësaj dite flitet për trimëninë dhe bujarinë e Tom Prelit e të Gjelosh Prëlit. Dhe kush asht ai shqiptar që nuk ka ndigjua për dijetarin e famshëm Dr. Athanas Gegaj.

Kohë ma parë kjo familje humbi në moshë relativisht të re Mark Nolin Gegaj. Vëllazënia juaj dhe i gjithë farefisi jeni shumë te pikëlluem për vdekjen e Gjelosh Nikës. Por ju të familjes duhet të jeni krenar që kishi nji vëlla e nji babë e gjysh aq te mirë. Kujtimet e tij do ti ruani për kohë të gjatë. Ashtu siç do ti ruajnë edhe ata që punuan e shoqënuan me të ndjerin Gjelosh. Ky ëmën i bukur dhe i dashtun shqiptar do te kujtohet për jetë e mot. Gjelosh Nika pushoftë në paqe, e ju u dhasht Zoti kivet.

Dhe në fund kerkoj falje të sinqertë për mospjesëmarrjen time fizike në atë mort të madh të familjes suaj.

Gjeke Gjonlekaj/New York