Anëtarësimi i Malit të Zi në NATO, moment historik intervistë me Genci Nimanbegun

June 6, 2017   | Lajmet / Vijesti, Politika

Përgatiti për Zërin e Turqisë, Vera ALIBEGU KATANA, Mali i Zi

Kryeministri i Malit të Zi, Dushko Markoviq në Uashington i dorëzoi nënsekretarit amerikan Tomas Shenon zyrtarisht instrumentet e ratifikimit të kontratës për anëtarësimin e Malit të Zi në NATO. Në ceremoninë që u zhvillua në Departamentin amerikan të Shtetit ishte i pranishëm edhe sekretari gjeneral i NATO-s, Jens Stoltenberg. Pas Uashingtonit, solemniteti formal me rastin e pranimit të anëtarëve të rinj në NATO dhe ceremonia e ngritjes së flamurit para ndërtesës së NATO-s në Bruksel do të bëhet më 7 qershor.

-Kryeministri Dushko Markoviq: Anëtarësimin në NATO është moment historik

“Kjo është një ditë e rëndësishme jo vetëm për ne por edhe për fqinjët tanë. Besoj se Mali i Zi si anëtarë i NATO-s do t’i kontribuojë më shumë stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. Mund të them me plot bindje se ne do të përkrahim edhe anëtarësimin e shteteve të tjera të rajonit në  NATO. Do të jemi promotorë të idesë së anëtarësimit dhe shembull i qartë se dyert e saj janë të hapura”,- tha Markoviq.

Edhe për nënkryetarin e Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu, anëtarësimi në NATO është moment tejet i rëndësishëm që do t’i kontribuojë ruajtjes së stabilitetit dhe sigurisë së rajonit. Ai në një prononcim ekskluziv për Zërin e Turqisë, i pyetur që të komentojë anëtarësimin në NATO, tha: “Anëtarësimi i Malit të Zi në Aleancën Veri-Atlantike, të cilën unë e konsideroj jo vetëm si aleancë ushtarake, por edhe politike, e radhit Malin e Zi në kuadrin e shteteve më të fuqishme të botës”.

-Një pjesë e Opozitës pro-Ruse e Malit të Zi kundërshton anëtarësimin në NATO

V.Katana:Si do ta vlerësonit qëndrimin e Opozitës, që vazhdimisht ka qenë kundër anëtarësimit në NATO, dhe bojkotin e punimeve të Parlamentit nga ana e tyre?

G.Nimanbegu: “Opozita e Malit të Zi ka disa arsyet e veta që nuk e përkrah anëtarësimin. Sigurisht ka të bëjë me qëllimin e tyre, që dëshirojnë të mbesin nën ndikimin e shteteve të Lindjes apo Rusisë. Këtu kemi të bëjmë më shumë me arsye e motive se sa racionale, sepse dihet që të gjitha shtetet më të zhvilluara të Evropës si: Gjermania , Britania e Madhe, Franca dhe Italia janë anëtare të NATO-s, e njëkohësisht edhe anëtare të Bashkimit Evropian”.

V.Katana:Subjektet politike shqiptare, dhe në përgjithësi shqiptarët e Malit të Zi, vazhdimisht i kanë dhënë dhe i japin përkrahje idesë së anëtarësimit të Malit të Zi në NATO. A do të ndikojë anëtarësimi në NATO në përmirësimin e pozitës së shqiptarëve?

-Shqiptarët e Malit të Zi kanë mbështetur dhe mbështesin fuqishëm anëtarësimin në NATO

G. Nimanbegu: “Sigurisht kjo është dhe njëra nga arsyet që subjektet politike shqiptare në statutet e tyre dhe qëndrimet politike vazhdimisht kanë përkrahur këtë Aleancë. Ne NATO-s kurrë nuk mund t’ia harrojmë ndihmën që i ka dhënë popullit shqiptar, konkretisht kosovarëve në vitin 1999, dhe sigurisht që intervenimi i NATO-s jo vetëm që ka shmangur katastrofën humanitare dhe tentativën e spastrimit etnik, por edhe ka krijuar kushtet që Kosova të jetë shtet i pavarur dhe fqinj i mirë me Malin e Zi. E tërë kjo do të krijojë kushtet që Ballkani të largohet nga stereotipet e të kaluarës, sepse do të hyjë në procese zhvillimore më se të nevojshme për popullin tonë”, tha Nënkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Genci Nimanbegu.

 

TRT @ Të Gjitha të Drejtat të Rezervuara.