Gjermania i dhuron miliona euro Malit të Zi për të blerë helikopterë e tanke

June 25, 2017   | Ngjarjet - Events

Mali i Zi ka vendosur që të shpenzojë 110 milionë euro për të blerë armë stretegjike, si raketa dhe helikopterë, bëri të ditur Sputnik në një shkrim të sotëm duke iu referuar burimeve ruse.

Ministria e Mbrojtjes së Malit të Zi do të blejë helikopterë, radarë për mbikëqyrjen ajrore dhe automjete të blinduara.

“Për blerjen dhe modernizimin e pajisjeve të prioritetit më të lartë janë planifikuar 70,8 milionë euro për periudhën deri në vitin 2020. Ky grup përfshinte të gjitha prioritetet e mësipërme”.

Ministri i Mbrojtjes, Predrag Boshkoviç ka zhvilluar një vizitë në Francë, vend i cili ka furnizuar edhe Shqipërinë me helikopterë ushtarakë para disa viteve.

Qeveria malazeze njoftoi se armët strategjike do të blihen nga shitja e materialeve luftarake të ish-ushtrisë jugosllave.

“Fondet që marrim nga shitja e vjetërsirave po investohen në modernizimin dhe blerjen e sistemeve të reja, më moderne dhe më efikase”, deklaroi ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi.

Ndërkaq, Angela Merkel ka vendosur që t’i japë Podgoricës 2.1 milionë euro për të blerë mjete të blinduara.

Mali i Zi u bë anëtare e NATO-s më 5 qershor, ndërsa Boshkoviç do të marrë pjesë për herë të parë në Samitin e ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare në Bruksel. /tesheshi.com/